Uji në Gostivar vazhdon të jetë i pasigurt për konsum. Ai mund të përdoret vetëm për qëllime teknike, për ruajtjen e higjienës personale dhe pastrimin e shtëpive. Për të hequr ndalimin për pirjen e ujit dhe përgatitjen e ushqimit, nevojiten tri analiza të njëpasnjëshme me rezultate të rregullta. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pas përfundimit të mbledhjes së Shtabit të Krizës deklaroi se në ditët në vijim do të shtohen kontrollet e cilësisë së ujit, në mënyrë që të krijohet një pasqyrë më e qartë se kur qytetarët e Gostivarit do të kenë sërish ujë të pijshëm.
Edhe pse në rrjetin e ujësjellësit të Gostivarit ende është e pranishme bakteri, uji mund të përdoret për larje dhe si ujë teknik, ndërsa ndalimi për konsum mbetet ende në fuqi. Megjithëse autoritetet më herët kishin paralajmëruar se kjo baktere mund të shkaktojë infeksione të lëkurës, syve, veshëve dhe traktit urinar, pas mbledhjes së fundit të Shtabit Kryesor të Krizës u bë e ditur se uji është i sigurt për përdorim teknik.
Sa i përket ujit të pijshëm, ende nuk ka afat se kur do të lejohet përdorimi. Do të priten tri analiza radhazi që duhet të konfirmojnë mungesën e baktereve.
Ministri i Punëve të Brendshme u bëri apel qytetarëve që sa më shpesh ta lënë ujin të rrjedhë nga çezmat, pasi krahas hiperklorinimit, kjo ndihmon në përshpejtimin e procesit të pastrimit të rrjetit.
“Në takim u dakorduam se ende kemi situatën e njëjtë faktike lidhur me cilësinë e ujit, respektivisht nuk kemi ujë për të thënë se është në rregull. Mbetemi në rekomandimet e mëparshme. Matja do të bëhet më shpesh dhe sapo të kemi tre rezultate të njëpasnjëshme në të gjitha pikat e matjes në qytet, atëherë qytetarët do t`i njoftojmë se krahas për përdorim teknik, uji mund të përdoret për pije”
Bëhet fjalë për bakterin Pseudomonas aeruginosa, i cili zakonisht shfaqet në ujë të ndenjur. Në periudhën e ardhshme do të shtohen matjet e cilësisë së ujit në pika të ndryshme të rrjetit, ndërsa procesi i hiperklorinimit do të vazhdojë. Sipas autoriteteve, ky bakter shfaqet në ujë të ndenjur që nuk ka qarkulluar nëpër çezma.
“Bakteria më shpesh paraqitet në sistemin e ujësjellëit kur uji nuk qarkullon. Duke marrë parasysh se kishte ndalesë që uji të mos përdoret as teknikisht e as për pije për këtë shkak është vepruar konform protokolleve. Është rritur niveli I klorimit, është bërë pastrimi i rrjetit ujësjellës dhe si laborator këto procese i ndjekim vazhdimisht”
Uji në Gostivar është i ndaluar për pije që nga 17 korriku, pasi autoritetet konstatuan se për 22 ditë pompat kishin futur ujë të ndotur me fekale në rrjetin e ujësjellësit të qytetit. Më 19 korrik u shpall epidemi, ndërsa më 21 korrik Qeveria shpalli gjendje krize 30-ditore në qytet./Tv Koha/
