Fitues i turneut të sivjetmë në Street Basket 3×3, që ishte edhe manifestimi i fundit në kuadër të verës tetovare v”Tetova n`festë”, doli ekipi “One Cable” , vendi i dytë i takoi ekipit “O1 Kosova” dhe vendi i tretë ekipit “Kino Vllae”.
Për dy netët me radhë në këtë turnir morën pjesë 12 ekipe nga Tetova, Shkupi, Struga dhe një ekip nga Kosova, ndërsa qytetarët e Tetovës dhe jo vetëm, në veçanti mërgimtarët, shijuan momente atraktive në Sheshin e Tetovës, me emocione nga lojat spektakolare , ngulitjet atraktive dhe gara në gjuajtjet për tre pikë.
Organizatori, Komuna e Tetovës për më të mirët ndau shpërblime, kupa dhe mirënjohje adekuate.
Me këtë aktivitet sportiv, pas 25 ditëve, u përmbyll vera tetovare “Tetova n`festë që dhuroi muzikë, argëtim, kulturë, sport dhe shoqërim të ndërsjellë në Sheshin e Tetovës por edhe në Bulevardin “Boris Kidriç”.
Lamtumirë këtij edicioni I ka dhënë edhe Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
‘’Me energjinë, emocionet dhe atmosferën fantastike të turneut të Streetball-it, e përmbyllëm me sukses edicionin e sivjetshëm të “Tetova n’Festë”! Gjatë këtyre javëve, Tetova u shndërrua në një skenë të hapur me muzikë, sport, art, kulturë dhe aktivitete për të gjitha moshat. Faleminderit të gjithë artistëve, sportistëve, organizatorëve, vullnetarëve dhe mijëra qytetarëve e mërgimtarëve që u bënë pjesë e kësaj vere të paharrueshme! Ju faleminderit” – ka shkruar Kasami në Facebook.

