Site icon Tetova Expres

10 vite nga përmbytjet katastrofike në Shkup që morën 22 jetë njerëzish

Sot mbushen dhjetë vjet nga një prej tragjedive natyrore më të mëdha në historinë e re të Maqedonisë. Më 6 gusht 2016, një mot i fuqishëm i shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm, vetëtima dhe erë të fortë goditi fillimisht rajonin e Pollogut, e më pas edhe rajonin e Shkupit, duke lënë pas vetes shkatërrim dhe 22 viktima.

Në Shkup, brenda vetëm 24 orëve ranë 93 litra shi për metër katror, ndërsa në dy orët e para u regjistruan mbi 800 vetëtima. Më të goditura ishin pjesët verilindore të kryeqytetit – Stajkovci, Singeliq, Smilkovci, Çreshevo dhe Haraçinë, ku ujërat e vërshimeve shkaktuan dëme të mëdha materiale dhe morën jetë njerëzish. Mes viktimave ishte edhe një fëmijë dyvjeçar.

Pasojat e katastrofës ishin të mëdha. Në klinikat e Shkupit u trajtuan 22 persona të lënduar, mbi 1.000 banorë u evakuuan, ndërsa shumë familje mbetën pa shtëpitë e tyre. Përmbytjet shkaktuan dëmtime serioze në infrastrukturën rrugore dhe komunale, si dhe në një numër të madh pronash private.

Në ditët pas tragjedisë, qytetarët u organizuan përmes rrjeteve sociale dhe hapën pika për mbledhjen dhe shpërndarjen e ndihmës humanitare për familjet e goditura. Qeveria shpalli gjendje krize në rajonin e Shkupit dhe Tetovës për 15 ditë, ndërsa 8 gushti u shpall Ditë Zie.

Edhe dhjetë vjet më vonë, 6 gushti mbetet i ngulitur në kujtesën kolektive si dita kur moti i fuqishëm, brenda pak orësh, ndryshoi jetën e mijëra qytetarëve dhe la gjurmë të thellë në historinë e Shkupit dhe Maqedonisë. përcjell Zhurnal.mk .

Advertisement
Exit mobile version