Site icon Tetova Expres

Greqi, rritet shqetësimi për përhapjen e virusit të Nilit Perëndimor: 6 të vdekur dhe 65 të infektuar

Situata epidemiologjike në Greqi po shkakton shqetësim, pasi virusi i Nilit Perëndimor po përhapet me ritme të shpejta dhe autoritetet shëndetësore kanë ngritur alarmin.

Gjatë javës së fundit është shënuar një rritje e ndjeshme e rasteve të konfirmuara. Deri tani, numri i viktimave ka arritur në gjashtë dhe të gjithë personat që kanë humbur jetën kanë qenë mbi 65 vjeç.

Rastet janë përqendruar kryesisht në Atikë, ku përfshihet edhe Athina, si dhe në Thesali e Maqedoninë Qendrore. Sipas autoriteteve shëndetësore, qarkullimi i virusit është veçanërisht i lartë në Atikë. Ndërkohë, disa zona të tjera janë klasifikuar si me rrezik të lartë, pavarësisht se deri më tani nuk kanë raportuar raste infektimi te njerëzit.

Infeksioni transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave që mbartin virusin. Këto insekte infektohen nga shpendët, ndërsa virusi nuk kalon nga një person te tjetri përmes kontaktit të zakonshëm. Rreth 80 për qind e të infektuarve nuk kanë simptoma, ndërsa pjesa më e madhe e të tjerëve shfaqin një formë të lehtë të sëmundjes, të ngjashme me gripin. Më pak se një për qind e të prekurve zhvillojnë komplikacione të rënda neurologjike.

Autoritetet kanë bërë të ditur se sezoni i transmetimit nuk ka përfunduar ende dhe se raste të reja mund të shfaqen edhe në rajone të tjera të vendit.

Advertisement
Exit mobile version