Në muajin shtator pritet të ketë rreth 4.900 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me vitin e kaluar, deklaroi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke theksuar se shifra ende nuk është përfundimtare.
Edhe për vitin e ri shkollor, ekspertët si shkak kryesor të kësaj rënieje përmendin problemet kronike me të cilat përballet vendi. Sipas tyre, numri i nxënësve të klasës së parë po zvogëlohet për shkak të rënies së natalitetit, por edhe si pasojë e emigrimit të përhershëm të popullsisë në moshë riprodhuese dhe asaj në moshë pune.
Në konferencën për media në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ku u publikuan rezultatet e maturës shtetërore, ministrja tha se po zvogëlohet numri i nxënësve të shkollave të mesme dhe i studentëve, por rënia më drastike vërehet te numri i nxënësve që regjistrohen në klasën e parë.
“Numri i studentëve po zvogëlohet, pasi kemi gjithnjë e më pak nxënës edhe në shkollat fillore, edhe në ato të mesme. Këtë vit numri i nxënësve në shkollat e mesme është ulur, por jo në mënyrë drastike. Këto shifra nuk janë përfundimtare, pasi në muajin gusht do të ketë edhe afatin e tretë të regjistrimit. Megjithatë, numri i nxënësve në arsimin fillor është ulur ndjeshëm dhe aktualisht bëhet fjalë për mbi 4.000 fëmijë më pak se vitin e kaluar. Shifra ende nuk është përfundimtare, sepse regjistrimet vazhdojnë dhe shpresojmë të zvogëlohet pak, por ajo mbetet shumë shqetësuese nga aspekti demografik. Më vjen keq ta them, por ky është fakt dhe është publikuar edhe nga Enti i Statistikës – deri tani kemi rreth 4.900 nxënës të klasës së parë më pak se vitin e kaluar. Edhe nëse regjistrohen të tjerë, do të kemi së paku 3.000 nxënës më pak. Këtë trend e presim edhe vitin e ardhshëm, gjë që është dëshpëruese për vendin”, deklaroi Janevska.
Në Komunën e Tetovës pritet që 1025 nxënës të regjistrohen në shkollat fillore. Nëse bëjmë një krahasim me vitin e kaluar, ky numër është rritur për rreth 90 nxënës, por mbetet për t’u parë se sa nga këta fëmijë ndodhen aktualisht në Maqedoni dhe nuk janë shpërngulur.
Nga sektori për arsim në Komunën e Tetovës thonë se të dhënat nga librat amë tregojnë se ka një rritje të numrit të nxënësve.
Nga ky sektor përmendën edhe njoftimin se Komuna e Tetovës do të subvencionojë me nga 100 euro çdo nxënës që regjistrohet në klasën e parë në shkollat fillore të qytetit./Tv Koha/
