Me nënshkrimin e marrëveshjes për grantin investues të Bashkimit Evropian dhe të marrëveshjeve të financimit me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, nis faza e tretë e financimit për ndërtimin e segmentit hekurudhor Kriva Pallankë–Deve Bair në Korridorin 8.
Për këtë projekt, përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian ka siguruar grant prej 149 milionë eurosh.
Kryeministri Hristijan Mickoski tha se bëhet fjalë për një projekt që është premtuar për më shumë se tri dekada. Ai theksoi se Qeveria ka arritur marrëveshje me palën bullgare dhe se ndërtimi i pjesës lindore të Korridorit 8 do të përfundojë.
Unë kam qenë në moshë shumë të re, kur për herë të parë përmendej pjesa lindore e Korridorit 8. Sot jam kryeministër dhe me kënaqësi mund të them se pjesa lindore e Korridorit 8 përfundimisht do të përfundojë. Nëse atëherë kam qenë në moshë të re kurse tani kam rreth 48 vite, kjo nënkupton se për më shumë se 30 vite kemi pritur që atë që dikush dikur e paralajmëronte kjo Qeveri e përmbylli si proces.
Përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve, Björn Gabriel, tha se me nënshkrimin e marrëveshjeve hapet rruga për shpalljen e tenderit për ndërtimin e këtij segmenti hekurudhor.
Ai njoftoi gjithashtu se BE-ja ka siguruar fonde edhe për përgatitjen e projekteve në pjesën perëndimore të Korridorit 8, drejt Shqipërisë.
Në pjesën perendimore drejtë Shqipërisë, Banka Evropiane tashmë ka siguruar fonde në formë grantesh nga Bashkimi Evropian për të mbështetur përgatitjen teknike të segmenteve përkatëse në të dyja anët e kufirit. Sa u përket segmenteve në Maqedoninë e Veriut, analiza e mangësive në dokumentacionin teknik ekzistues për segmentin Kërçovë–Strugë pritet të fillojë në tetor. Paralelisht me këtë, Komisioni Evropian aktualisht është duke shqyrtuar termat e referencës për studimin e fizibilitetit të segmentit që lidh Strugën me kufirin shqiptar.
Drejtori i Hekurudhave të Maqedonisë së Veriut, Sinisha Ivanovski, tha se segmenti Kriva Pallankë–Deve Bair është një nga projektet më sfiduese infrastrukturore, pasi mbi 60 për qind e trasesë do të përbëhet nga ura dhe tunele.
Është interesante se nga 22 kilometra sa ka gjithësej, do të ketë 21 tunele me gjatësi prej 7.8 kilometrash. Do të ketë gjthashtu edhe 52 ura me gjatësi prej 5 kilometrash. Kjo nënkupton se nga 22 kilometra, thuajse 13 kilometra apo më shumë se 60 përqind nga kjo trase do të jetë e përbërë nga urat dhe tunelet dhe kjo vërtetë është sfiduese, përshkak se vet terreni është me lartësi mbidetare, prandaj edhe duhen këto ura e tunele.
Autoritetet gjithashtu njoftuan se marrëveshjet e nënshkruara sigurojnë mbylljen e strukturës financiare të projektit.
Sipas njoftimeve, ndërtimi i kësaj linje hekurudhore do të përmirësojë lidhjen ndërmjet Detit Adriatik dhe Detit të Zi, do të lehtësojë transportin e njerëzve dhe mallrave dhe do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin ekonomik të vendit dhe rajonit./Tv Koha – Shkup/
