Komuna e Tetovës ka larguar dy automjetet merimangë pasi që sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, shërbimi i merimangës nuk ka qenë funksional për shkak të mungesës së policëve rrugorë të cilët gjatë verës kanë qenë të mbingarkuar me ngjarjet dhe komunikacionit. Kasami zgjidhjen e sheh duke lënë në funksion vetëm një merimangë, deri në momentin kur bllokimi i veturave të parkuara gabimisht do të menaxhohet nga një operator privat që do të angazhohet nga komuna.
„Për momentin nuk ka në funksionim. Do të kthehet në funksion vetëm merimanga, automjeti merimangë që është në pronësi të Ndërmarrjes së Parkingut. Kurse të tjerave u janë ndërprerë kontratat dhe tani më do të vazhdojmë me bazë rregullative për rregullimin edhe të merimangave, edhe të bllokuesve. Në këtë rast, jo që nuk ka bashkëpunim me policinë, por realisht policia nuk ka kapacitet që në çdo pjesë të qytetit të ndërhyjë për largimin e veturave të parkuara pa leje. Këtë e dini që ne kemi tentuar, edhe ka ardhur në asistencë vetë Ministri i Punëve të Brendshme. Kemi kthyer në rrugë inspektorë, përkohësisht duke shpallur gjendje të jashtëzakonshme që të ndërhyjnë, por është konstatuar që edhe ajo nuk ka qenë zgjidhje që ka zgjidhur problemin.“
Mirëpo, nga SPB Tetovë thonë se katër policë rrugorë kanë qenë të angazhuar në dy ndërrime për t’i shërbyer merimangës. Të njëjtit kanë qenë jashtë këtij shërbimi vetëm gjatë kohës kur ka pasur delegacione në rajonin që mbulon ky sektor.
FATMIR REXHEPI – Zëdhënës i SPB Tetovë:„Deri tani është praktikuar që të angazhohen katër policë, pra në dy ndërrime, për arsye se ka dy merimanga në dispozicion. Por ka raste kur ndonjëra nga merimangat është jashtë funksionit dhe nuk mund të funksionojë, kështu që kolegët angazhohen në detyrime të tjera deri në vënien në funksion të merimangave.“
Komuna e Tetovës deri më tani kishte marrë me qira dy automjete merimangë nga kompani private, ndërsa më parë të njëjtat i shfrytëzonte me përqindje. Sidoqoftë, sipas kreut të komunës, asnjëra nga këto variante nuk ka pasur efikasitet për të rregulluar kaosin e komunikacionit në qytet. Kasami premton se do të rregullohet edhe kjo qështje që të funksionojë ashtu siç duhet dhe se do të gjejnë zgjidhje afatgjate.
