Site icon Tetova Expres

PACIENTËT ONKOLOGJIK PROTESTUAN PARA MINISTRISË SË SHËNDETËSISË

Pacientët e Klinikës së Onkologjisë sot zhvilluan protestë para Ministrisë së Shëndetësisë, duke kërkuar zgjidhje për mungesën e vazhdueshme të terapisë në Klinikën e Onkologjisë.

Nga Shoqatat që merren me problemet me të cilat përballen pacientët me kancer, u bë apel mediave, partive politike dhe qytetarëve që të ndalojnë përdorimin e pacientëve onkologjikë për përplasje të politikës ditore.

 Ata theksuan se problemet me të cilat përballen pacientët nuk janë përgjegjësi e një qeverie apo e një ministri të vetëm, por një problem afatgjatë i gjithë shtetit.

ANA MARJANOVIQ – Shoqata “Hema-Onko”

“Nëse problemi nuk tejkalohet dhe për një muaj kemi sërish këtë problem, ngecje prej 5, një javë apo 10 ditë dhe nëse nuk tregohet saktësisht se tek cili furnizues është problemi, do të dalim para të gjithë institucioneve. Nuk ekzistojnë studime klinike ku thuhet se ne mund ta anulojmë terapinë për 10 ditë. Ky shtet për 5 vite të kaluara na mban në pasiguri, pa marrë parasysh se cili ka qenë Ministër dhe kush ka qenë në pushtet. Nuk kërkojmë privilegje por terapi në kohë dhe në vazhdimësi”

Advertisement

Lidhur me vonesën e disa terapive, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se një pjesë e dërgesave tashmë është realizuar, për disa ilaçe janë arritur marrëveshje të reja, derisa për të tjerët kërkohen zgjidhje të përkohshme deri në normalizimin e plotë të furnizimit.

Përfaqësuesit e pacientëve onkologjikë paralajmëruan se, nëse nuk fillohet me zbatimin e një parandalimi më të mirë dhe programeve cilësore të depistimit (screening), buxheti për Onkologjinë do të duhet të rritet vazhdimisht, pasi po rriten si çmimet e barnave, ashtu edhe numri i pacientëve.

Një ditë më parë, nga Klinika njoftuan se për një pjesë të vogël të preparateve nga lista pozitive e Fondit për Sigurim Shëndetësor është evidentuar një vonesë afatshkurtër në furnizim, të cilën e lidhin me disa faktorë, si: rritja e konsumit, numri më i madh i pacientëve, periudha ndërmjet dy procedurave të prokurimit publik dhe mungesa e pjesshme e barnave te distributorët.

Exit mobile version