Site icon Tetova Expres

DAP: “TURIZËM I DREJTË” – QYTETARËT QË JAPIN ME QIRA AKOMODIME DUHET TË DEKLAROJNË TË ARDHURAT

Me vizita në destinacionet turistike vendase, Drejtoria e të Ardhurave Publike (DAP) po vazhdon fushatën për një sezon turistik të drejtë, me qëllim që të nxisë pagesën e barabartë të tatimeve nga të gjithë qytetarët që realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e kapaciteteve të akomodimit të çdo lloji. Në kulmin e sezonit turistik, nga DAP thonë se shumë pronarë privatë presin mijëra turistë dhe realizojnë të ardhura nga dhënia me qira e pronave të tyre, pa i deklaruar ato për qëllime tatimore, duke mos përmbushur detyrimet ligjore.

Përfaqësuesit e DAP informuan se janë vazhdimisht në terren për t’u ofruar qytetarëve udhëzime praktike për deklarimin e të ardhurave që personat fizikë realizojnë nga dhënia me qira e apartamenteve, banesave, shtëpive, uikend-shtwpive, dhomave dhe kapaciteteve të tjera të akomodimit, si dhe nga veprimtari të tjera sezonale të lidhura me turizmin.

Deklarimi i të ardhurave nga qiraja ose nënqiraja bëhet në mënyrë elektronike përmes sistemit e-Shërbime Tatimore. Qytetarët që janë të punësuar ose që tashmë kanë përdorur sistemin për skanimin e kuponëve fiskalë kanë profil të krijuar, ndërsa ata që nuk kanë profil duhet ta hapin një të tillë për të deklaruar të ardhurat në kohë.

FIKRET ZENUNI – Në rastet kur qiraja zgjat më pak se 31 ditë gjatë një muaji, deklarimi duhet të bëhet deri më 10 të muajit pasues. Kur pagesa realizohet përmes platformave të huaja, afati është gjithashtu deri më 10 të muajit pasues pas pagesës. Tatimi i miratuar duhet të paguhet jo më vonë se data 15 e muajit për muajin paraprak.

Tatimi mbi të ardhurat personale llogaritet mbi të ardhurat bruto, pra mbi shumën totale të paguar nga mysafiri.

Advertisement

Nga kjo shumë zbriten 10% shpenzime të njohura, nëse objekti jepet i pamobiluar ose 15%, nëse objekti është i mobiluar.

DAP vë theks të veçantë edhe te dhënia me qira përmes platformave digjitale si Airbnb, Booking, Facebook, Kajak dhe platforma të tjera.

Nëse qytetarët nuk i përmbushin detyrimet tatimore, Ligji për Tatimin mbi të Ardhurat Personale parashikon gjobë prej 50 deri në 250 euro, në kundërvlerë në denarë, për personat fizikë që nuk paraqesin deklarimin për të ardhurat nga qiraja ose nënqiraja./Tv Koha/

Exit mobile version