Site icon Tetova Expres

DASMAT NË TETOVË: TRADITA VAZHDON, POR KOSTOJA PO NDRYSHON FESTËN

Në Tetovë, në këtë periudhë të vitit, gjithcka të asocon tek dasmat.

Nga veshjet tradicionale, flamujt e rekuizitat e deri tek veshjet elegante të nuses e dhëndrit e bëjnë këtë sezon më të kapshëm për klientët.

Në Tetovë nuk mungojnë as edhe defat apo “dairet” si quhen ndër popull. Ky lloj instrumenti ka mbetur tashmë vetëm për simbolikë, pasi shumë dasma bëhen pa “daire”.

Mungojnë vashat që i bien, është ndryshuar tradita kur dasma niste me “qërrimin e drithit” e përfundonte me ceremonitë e “thyerjes së kulaçit” dhe ditës kur nusja fshinte oborrin.

Por, dasmat në rajonin e Pollogut, vijnë bashkë me mërgimtarët.

Advertisement

“Në kulmin e sezonit veror, Tetova është mbushur me mërgimtarë. Përveç pushimeve me familjen dhe miqtë, axhenda e tyre dominohet edhe nga dasmat dhe ahengjet familjare, të cilat gjatë muajve të verës zhvillohen pothuajse çdo ditë. Megjithatë, organizimi i një dasme sot është bërë një sfidë financiare. Rritja e çmimeve për sallat, muzikën, fotografët, dekorimet dhe shërbimet e tjera ka bërë që industria e dasmave të mos e përjetojë më hovin e dikurshëm, ndërsa shumë familje po detyrohen të kufizojnë shpenzimet ose të organizojnë ceremoni më modeste.”

Se po zbehet “industria e dasmave” dhe po anashkalohen disa tradita që më parë ishin aktuale, dëshmon edhe frekuentimi dhe shitblerja në rrugën e mirënjohur të butiqeve në Tetovë.

Edhe “ustallarët” e tupanave dhe zurlave, duke kujtuar me nostalgji kohërat e vjetra, thonë se puna e tyre bie nga viti në vit.

Nga ana tjetër, vërrehet një shkurtim I sezonit të dasmave, ku interesimi më I madh është nga 20 Korriku deri më 10 Gusht, që përkon më kohën kur mërgimtarët janë për pushime.

Edhe rezervimi I restoranteve paraqet sfidë për një dasëm.

Advertisement

Qytetarët e anketuar nga Tv Koha kanë mendime të ndara rreth dasmave. Disa thonë se dasmat janë pjesë e traditës dhe duhet të bëhen në mënyrën më të mirë, kurse të tjerët nuk I arsyetojnë harxhimet e tepruara për një dasëm.

Edhe pse sezoni veror mbetet periudha kur mërgimtarët sjellin gjallëri në qytet dhe dasmat vazhdojnë të jenë pjesë e pandashme e traditës familjare, kostoja gjithnjë në rritje e organizimit po ndryshon mënyrën se si festohet. Për shumë familje, ruajtja e traditës tashmë kërkon balancim mes dëshirës për një ceremoni të veçantë dhe mundësive financiare, duke bërë që dasmat e sotme të jenë më të kujdesshme në organizim se sa vite më parë./Tv Koha/ 

Exit mobile version