Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, njoftoi sot se ka nënshkruar vendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Komunës së Bërvenicës, pas vdekjes së papritur të Jovica Ilievskit, i cili në zgjedhjet lokale të mbajtura vjeshtën e kaluar fitoi mandatin e dytë për të udhëhequr komunën.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 18 tetor të këtij viti.
“Pres që Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, Komisioni Komunal Zgjedhor i Bërvenicës dhe të gjitha institucionet përgjegjëse për zbatimin e këtij vendimi ta zhvillojnë procesin zgjedhor në mënyrë profesionale, të paanshme dhe me respekt të plotë të ligjit dhe procedurave. Ftoj të gjithë kandidatët dhe subjektet politike që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë me dinjitet, duke garuar me programe, ide dhe vizion për zhvillimin e komunës, e jo me gjuhë që nxit ndarje apo me veprime që cenojnë besimin e qytetarëve në procesin demokratik”, shkroi Gashi në Facebook.
Ai u bëri thirrje qytetarëve të Bërvenicës që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta ushtrojnë me përgjegjësi të drejtën e tyre demokratike.
“Ftoj qytetarët e Bërvenicës të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta ushtrojnë me përgjegjësi të drejtën e tyre demokratike, duke kontribuar për një proces zgjedhor të qetë, të rregullt dhe të besueshëm, i cili do të përcaktojë drejtimin e ardhshëm të zhvillimit të komunës së tyre. Jam i bindur se këto zgjedhje do të konfirmojnë pjekurinë demokratike të institucioneve dhe të qytetarëve tanë”, theksoi ai.
Kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski, ndërroi jetë më 23 qershor të këtij viti, në moshën 58-vjeçare.
Më 7 korrik, Qeveria njoftoi se kishte nisur procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar të Komunës së Bërvenicës, pasi shqyrtoi dhe miratoi informacionin e dorëzuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, sipas të cilit ishte krijuar baza ligjore për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të komunës.
