Site icon Tetova Expres

Studentët ridorëzojnë kërkesën e tyre në Ministrinë e Drejtësisë! Kërkojnë të gjitha provimet profesionale të jepen edhe në shqip

Ministri i ri i Drejtësisë, Jeton Shaqiri, ka marrë një kërkesë të vjetër, por të ripërtërirë nga studentët shqiptarë, për mundësinë e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Mevlan Ademi, një nga nismëtarët e protestave studentore për zhvillimin e provimit të jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, njoftoi se pas më shumë se dy vitesh pritje, së bashku me kryetarin e Parlamentit Studentor të Universitetit të Evropës Juglindore, Besjan Rexhepi, kanë dorëzuar sërish një kërkesë zyrtare në institucionet kompetente.

Në kërkesën e re, përveç provimit të jurisprudencës, kërkohet që edhe provimet për noterë, përmbarues dhe të gjitha provimet e tjera shtetërore të mund të zhvillohen në gjuhën shqipe. Sipas tyre, aktualisht këto provime organizohen vetëm në gjuhën maqedonase, në kundërshtim me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.

Nga fotografia që ai publikoi në Facebook, mund të shihet se kërkesa tashmë është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë.

“Studentët shqiptarë nuk duhet të diskriminohen. Ata duhet të kenë mundësi të barabarta për t’u arsimuar, certifikuar dhe për ta ushtruar profesionin e tyre në vendin e vet. Institucionet kanë detyrim ta zbatojnë ligjin, të jenë në shërbim të qytetarëve dhe ta respektojnë gjuhën e popullit që e ndërton këtë shtet. Gjuha shqipe nuk është privilegj. Ajo është një e drejtë e garantuar me ligj dhe një realitet i padiskutueshëm i këtij shteti”, ka shkruar Ademi.

Advertisement

Ndryshe, gjatë një deklarate ekskluzive për Tv Koha, në kohën kur u nominua nga VLEN, Ministri i Drejtësisë, profesori universitar Jeton Shasivari premtoi vazhdimin e reformave që afrojnë vendin me standardet evropiane, sundimin e ligji, luftimin e korrupsionit dhe mbi të gjitha transparencë dhe llogaridhënie. Sipas Profesorit Jeton Shasivari, Ministria e Drejtësisë duhet të jetë urë lidhëse midis Qeverisë, qytetarëve dhe institucioneve.

 JETON SHASIVARI –Kuptohet se vendi ynë ka disa aspekte sa u përket reformave dhe do jap përkushtim dhe angazhim profesional me integritet dhe profesionizëm që të arrijmë aty ku duhet, sidomos në plotësimin e standardeve evropiane veçanërisht sa i përket sektorit të drejtësisë. Nga ana tjetër si profesor universitar, çdoherë kam menduar që ajo që njihet në shkencë juridike duhet edhe të zbërthehet në praktikë. Tani si Ministër i ardhshëm gjithë potencialin tim akademike dhe profesionale, do ta vejë në shërbim të zgjidhjeve praktike, për probleme të shumta që ekzistojnë në sferën e drejtësisë.

Kujtojmë se para tre muajsh, partnerët e koalicionit qeverisës, kryeministri Hristijan Mickoski dhe bashkëkryetarët e koalicionit VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, pas një takimi njoftuan se kishin arritur marrëveshje që studentët shqiptarë ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe dhe se propozimi ishte dërguar për shqyrtim në Komisionin e Venecias./Tv Koha/

Exit mobile version