Site icon Tetova Expres

Arben Etemi pyet qeverinë e kaluar: Pse u financuan 200 mijë kartela për turistët serbë?

Eksperti i energjetikës dhe ish-kandidati për kryetar të Komunës së Kumanovës, Arben Etemi, publikon shifrat dhe konkluzionet zyrtare të Qeverisë nga maji i vitit 2021.

Përmes një postimi të drejtpërdrejtë në rrjetin e tij social Facebook, ish-kandidati për kryetar të Komunës së Kumanovës dhe eksperti i njohur i energjetikës, Arben Etemi, ka goditur ashpër deklaratat e eksponentëve të ish-pushtetit, duke nxjerrë në pah atë që ai e cilëson si hipokrizi politike dhe përpjekje për të krijuar mjegull në opinionin publik.

Në reagimin e tij publik, Etemi u kthen përgjigje akuzave pa bazë duke publikuar të dhënat zyrtare nga vendimmarrja e kaluar qeveritare:

Vendimi i Seancës së 72-të të Qeverisë

Seanca: E 72-të e Qeverisë
Data: 25.05.2021
Konkluzioni: Nr. 40-5794/1
Kartela: 200.000 M-Smart
Kredi për kartelë: 760 denarë
Fondet e parashikuara: 122.000.000 denarë
Rruga: Korridori 10 (Tabanoc – Bogorodicë)
Periudha: 15.06.2021 – 15.08.2021
Kriteri: Shtetas të Serbisë
A ka më keq se kjo? Etemi i drejtohet ish-udhëheqësve shqiptarë

Ish-kandidati për të parin e Kumanovës, Arben Etemi, ka nëvizuar se vendimi u miratua nën drejtimin e funksionarëve më të lartë shtetërorë të asaj periudhe:

Advertisement

“Në një seancë të Qeverisë të udhëhequr nga një shqiptar, me zëvendëskryeministër shqiptar, me ministër shqiptar të Financave dhe me ministër shqiptar të Punëve të Jashtme, u lejua të miratohej një masë me vlerë 122 milionë denarë, ku përfitues ishin shtetas të Serbisë. Dhe sot, pikërisht ata që ishin pjesë e këtij pushteti, dalin dhe flasin për përgjegjësi, transparencë e patriotizëm?! A nuk është kjo hipokrizi politike?”

Sipas tij, kjo nuk është çështje emocionesh apo propagandë politike, por çështje dokumentesh, vendimesh zyrtare dhe përgjegjësie institucionale.

Në përmbyllje të reagimit të tij, Etemi i ka ftuar ata që sot bëjnë moral politik t’u përgjigjen me përgjegjësi këtyre pyetjeve:

Kush e propozoi?
Kush e miratoi?
Kush i siguroi 122.000.000 denarët?
Pse u ndanë 200.000 kartela?
Pse secila kartelë kishte 760 denarë?
Pse kjo lehtësi iu dha shtetasve të Serbisë për udhëtimin nëpër Korridorin 10, nga Tabanoci deri në kufirin me Greqinë?
“Prandaj, mos u përpiqni t’i fshini gjurmët e vendimeve tuaja duke akuzuar të tjerët. Dokumentet nuk akuzojnë. Dokumentet dëshmojnë,” e përmbyll Etemi postimin e tij në Facebook.

Advertisement
Exit mobile version