Pavarësisht temperaturave të larta dhe rekomandimeve të institucioneve për shmangje të daljes gjatë nxehtit ekstrem që e ka kapluar Maqedoninë e Veriut, rrugët çdo ditë janë të mbushura përplot. Edhe qytetarët që i takojnë grupmoshës më të vjetër nuk ngurojnë të kryejnë punët e tyre gjatë orëve të mesditës kur temperaturat arrijnë kulmin.
Disa banorë të Tetovës që sot i anketoi ekipi i Televizionit Koha thanë se fare nuk e kanë problem lëvizjen gjatë temperaturave të larta. Me modestinë më të madhe edhe pse në moshë, thonë se nxehti është dukuri e natyrës dhe se njeriu është i bërë për ta përballuar, pavarësisht se në shpinë të tyre mbanë shumë vite jetë.
Por ka edhe prej tyre që thonë se kushtet e mira të jetesës, siç janë veturat dhe shtëpitë me klimë ndihmojnë që të tejkalohet kjo valë e të tempreturave të larta që e kapluar vendin. Madje, si për tu freskuar thonë se bëjnë plan që të shkojnë për pushime në detë.
Të moshuarit janë ndër kategoritë më të rrezikuara kur bëhet fjalë për temperaturat e larta dhe valët e të nxehtit, paralajmëroi Instituti i Shëndetit Publik. Personat mbi 65 vjeç e kanë më të vështirë të përshtaten me nxehtësinë ekstreme, dhe rreziku rritet më tej tek ata që kanë sëmundje kronike ose përdorin terapi të rregullt.
ISHP thekson se disa ilaçe mund të ndikojnë në mënyrën se si trupi reagon ndaj nxehtësisë, prandaj nevojitet kujdes shtesë gjatë periudhave të temperaturave jashtëzakonisht të larta.
Si pjesë e masave mbrojtëse, rekomandohet që personat mbi 65 vjeç të shmangin ekspozimin direkt në diell, veçanërisht midis orës 11:00 dhe 17:00, si dhe aktivitetin fizik dhe qëndrimin e zgjatur në ajër të pastër gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
