Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) paralajmëroi për mesazhe ‘fishing’ që në mënyrë të rreme paraqiten si njoftime nga sistemi “Qyteti i Sigurt”.
Përmes SMS-ve, postës elektronike, ueb-faqeve dhe rrjeteve sociale, qytetarët ridrejtohen drejt lidhjeve të rreme për gjoja pagesën e kundërvajtjeve në komunikacion.
MPB-ja u bën thirrje qytetarëve të mos hapin lidhje të dyshimta dhe të mos ndajnë të dhëna personale e bankare, fjalëkalime apo identifikues të tjerë përmes kanaleve të paautorizuara.
Rekomandohet që të kontrollohet me kujdes adresa e dërguesit, të përdoret autentifikimi me dy faktorë dhe mesazhet e dyshimta të raportohen te institucionet kompetente ose banka.
Nga MPB-ja sqarojnë se njoftimet zyrtare me SMS për kundërvajtje në komunikacion duhet të dërgohen nga “MVR-SC”.
Mesazhi duhet të përmbajë targën e automjetit me të cilin është kryer kundërvajtja, si dhe lidhje (link) që fillon me adresën zyrtare të ministrisë së punëve të brendshme.
Ndryshe, në RMV qytetarët vazhdimisht pranojnë mesazhe të rreme me mashtrime për vjedhjen e të dhënave personale.
Autoritetet edhe më parë kanë bërë thirrje që qytetarët të mos klikojnë në linqe të panjohura dhe të mos japin të dhëna personale apo bankare përmes mesazheve të tilla.
