Site icon Tetova Expres

PARALAJMËROHET MBYLLJA E 20 SHKOLLAVE RAJONALE!

Në shtator, në bankat shkollore mund të ulen pothuajse 5.000 nxënës të klasës së parë më pak krahasuar me vitin e kaluar. Numri i ulët i regjistrimeve hap një nga dilemat më të rëndësishme për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut: a po mbeten shkollat bosh për shkak të rënies së natalitetit apo për shkak të shpërnguljes së familjeve të reja?

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, vlerëson se një nga arsyet është numri i zvogëluar i fëmijëve të lindur në vitin 2020, kurse ekspertët e demografisë paralajmërojnë se kjo rënie nuk mund të shpjegohet vetëm me natalitetin dhe se shpërngulja ka ndikim gjithnjë e më të madh në numrin e nxënësve.

Pasojat tashmë janë të dukshme në terren. Për shkak të numrit të ulët të nxënësve, Ministria paralajmëron mbylljen e rreth 20 shkollave rajonale. Janevska thotë se ka shkolla ku mësimi zhvillohet me vetëm disa fëmijë.

Ajo theksoi se gjatë viteve 2021 dhe 2022 janë mbyllur rreth 20 shkolla për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa një proces i ngjashëm do të vazhdojë edhe këtë vit. Kryesisht bëhet fjalë për shkolla rajonale me më pak se pesë nxënës.

Të dhënat tregojnë se numri i nxënësve të klasës së parë bie pothuajse çdo vit. Në vitin shkollor 2018/2019 kishte më shumë se 22.100 nxënës të klasës së parë, ndërsa në vitin shkollor 2025/2026 numri i tyre ra në 17.921.

Advertisement

Gjatë dekadës së fundit, sipas analizave të Qendrës për Komunikime Qytetare, numri i nxënësve në arsimin fillor dhe të mesëm është ulur për rreth 27.000.

Ndërkohë, edhe nataliteti vazhdon të bjerë. Nga 19.031 fëmijë të lindur gjallë në vitin 2020, numri ka rënë në 16.061 në vitin 2024.

Por, sipas ekspertëve, vetëm këto shifra nuk mund ta shpjegojnë plotësisht rënien e numrit të regjistrimeve.

Exit mobile version