Me një manifestim të mbajtur në afërsi të Urës së Gurit, Qeveria shënoi zyrtarisht përfundimin e aktiviteteve kushtuar 25-vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Nën moton “25 vjet dhe përtej”, aktiviteti solli në fokus rëndësinë e marrëveshjes për paqen, stabilitetin, bashkëjetesën dhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali, e cilësoi Marrëveshjen e Ohrit si një “besëlidhje historike” për mënyrën se si duhet të ndërtohet shteti i përbashkët.
Sali nënvizoi se barazia është bazë për ndërtimin e besimit mes qytetarëve dhe institucioneve, ndërsa bëri thirrje për një kulturë politike të bazuar në dialog, bashkëpunim dhe përgjegjësi.
“25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të jetë jo vetëm kujtim i së kaluarës, por edhe zotim për të ardhmen. Zotim se do të vazhdojmë të ndërtojmë ura e jo mure, se do ta mbrojmë barazinë, do ta forcojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës dhe do të punojmë për një shtet ku askush nuk do të ndihet i përjashtuar, i papërfaqësuar dhe i huaj”
Ndërkaq, ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, tha se 25-vjetori i Marrëveshjes së Ohrit duhet të shërbejë jo vetëm si moment përkujtimi, por edhe si mundësi për të reflektuar mbi përgjegjësitë që qëndrojnë përpara.
Ferati theksoi se fokusi duhet të zhvendoset nga e kaluara drejt së ardhmes, me prioritet sundimin e ligjit, gjithëpërfshirjen, tolerancën, bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve dhe krijimin e mundësive për të rinjtë.
“25 vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, duhet të flasim më shumë për atë se çfarë duam të ndërtojmë në 25 vitet e ardhshme. Rinia është jo vetëm e ardhmja e vendit, por edhe një nga resurset më të mëdha për ndërtimin e një shoqërie më të zhvilluar dhe më të qëndrueshme. Marrëveshja e Ohrit na dha një bazë për të jetuar së bashku. Përgjegjësia jonë sot është që këtë bashkëjetesë ta shndërrojmë në bashkëpunim, zhvillim dhe mundësi të barabarta për të gjithë. Para 25 vitesh, zgjodhëm paqen. Sot, brezi ynë duhet të zgjedhë të ardhmen”.
Nën moton “25 vite dhe përtej”, Qeveria organizoi shënim dy ditorë të Marrëveshjes së Ohrit me aktivitete të ndryshme.
Nga këto organizime, përfaqësuesit e Qeverisë vlerësuan rolin e të gjithë nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit, si dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian./Tv Koha – Shkup/
