Site icon Tetova Expres

Skandal në Gostivar: Dy shtetas turq dyshohet se me kërcënime morën 43.8 kg ar dhe detyruan babë e bir të shisnin pronën

Zyra e Jashtme për Çështje Kriminalistike në Gostivar ka ngritur kallëzim penal kundër T.D. (55) dhe Z.D. (54) nga Turqia, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerje të veprës penale “zhvatje”.

Sipas MPB-së, dy të dyshuarit, në periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2026, dyshohet se përmes kërcënimeve kanë detyruar një 66-vjeçar nga Gostivari dhe djalin e tij 41-vjeçar t’u dorëzojnë gjithsej 43 kilogramë e 800 gramë ar të përpunuar.

Nga MPB-ja bëjnë të ditur se të dyshuarit dyshohet se ia kanë llogaritur arin si lëndë të parë të shkrirë, dhe jo si produkt të përpunuar, duke i shkaktuar familjes dëm financiar për shkak të diferencës së konsiderueshme në vlerën e tregut.

Hetimet përfshijnë edhe një rast tjetër të dyshuar të shantazhit. Sipas MPB-së, gjatë shkurtit të vitit 2025, përmes mesazheve kërcënuese drejtuar djalit dhe familjes së tij, të dyshuarit e kanë detyruar 66-vjeçarin të nënshkruajë një parakontratë për shitblerjen e një prone të paluajtshme.

MPB-ja thotë se përmbajtja e parakontratës nuk i është lexuar 66-vjeçarit gjatë nënshkrimit te noteri në Gostivar.

Advertisement

Rasti është duke u proceduar nga organet kompetente, ndërsa dy personat mbeten të dyshuar deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

Exit mobile version