Shumica parlamentare është e fokusuar në punë, por nuk përjashtohet mundësia t’i përgjigjet kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, deklaroi kryeministri.
Ai tha se koalicioni qeveritar ka legjitimitetin për një mandat të plotë katërvjeçar dhe nuk mendon për zgjedhje të parakohshme.
Sipas tij, qytetarët nuk duan zgjedhje, por edhe nëse ka të tilla, ai është i sigurt në fitore të partive që aktualisht formojnë shumicën parlamentare.
HRISTIJAN MICKOSKI – “Qytetarët nuk duan zgjedhje, ata duan reforma dhe vazhdimësi të proceseve që po i udhëheq kjo Qeveri. Ne si koalicion kemi fituar legjitimitet nga qytetarët që të jemi në Qeveri për katër vite. Ajo që unë e thashë, po e përsëris. Nëse opozita mendon se na duhen zgjedhje të parakohshme dhe kërkon, ne nuk do të qëndrojmë anash si frikacakë, por do t’i përgjigjemi asaj sfide dhe kuptohet, do t’i fitojmë”.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj këtyre deklaratave. Nga BDI thonë se janë të gatshëm dhe se presin caktimin e zgjedhjeve në afatin sa më të shpejtë, për më tepër, ata kërkojnë edhe shpërndarjen e menjëhershme të Kuvendit.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM-“Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”.
Me reagim ka dalë edhe VLEN, nga ku thonë se opozita e ka lodhur BDI-në. Sipas VLEN, BDI-ja nuk di të funksionojë pa pushtet dhe vlerësojnë se ekzistenca e BDI-së lidhet ngushtë keqpërdorimin e pushtetit dhe me tenderë.
VLEN-“Për VLEN-in është e rëndësishme që të sigurojmë vazhdimin e ndërtimit të Korridorit 8, ndërtimin e rrugës Shkup – Bllacë që fillon për disa ditë dhe ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren, që po punohet intensivisht. Por, kurdo që të ketë zgjedhje, BDI do të përfundojë e poshtëruar nga shqiptarët, ashtu siç i ndodhi në zgjedhjet lokale para 1 viti. Shqiptarët nuk kthehen më prapa. Nuk i besojnë më një kaste të korruptuar, një politike të vjetëruar e cila në vend se të përfaqësojë shqiptarët, pasuroi disa individë. Koha e BDI-së ka mbaruar”.
Në debatin për zgjedhje të parakohshme është përfshirë edhe Aleanca për Shqiptarët. Edhe ata kërkojnë caktimin e datës së zgjedhjeve.
ALEANCA PËR SHQIPTARËT- Jemi të gatshëm që që sot të ulemi dhe ta caktojmë datën e zgjedhjeve. Nuk ka nevojë për taktizime, prolongime apo kalkulime politike. Qytetarët duhet të kenë mundësinë të japin vlerësimin e tyre për drejtimin në të cilin po ecën vendi dhe për mënyrën se si po qeveriset. Sa më shpejt të mbahen zgjedhjet, aq më mirë për vendin, për qytetarët dhe për të ardhmen tonë. Le të vendosin qytetarët!
Kjo nuk është hera e parë që partitë politike në pozitë dhe opozitë përplasen mbi kërkesën e zgjedhjeve të parakohshme. Qeveria aktualisht ka mandat deri në vitin 2028./Tv Koha – Shkup
