Pas shumë vitesh pritjeje, zvarritjesh dhe pritjesh të gjata, më në fund “Foleja” hap dyert për fëmijët e komunës së Tearcës, duke shënuar një moment të rëndësishëm për të gjithë banorët e këtij fshati.
Nga 19 gushti 2026 ka filluar regjistrimi i fëmijëve të rinj për vitin 2026/2027 në Çerdhen “Foleja”, në fshatin Përshefcë, Komuna e Tearcës.
Ky aktivitet regjistrimi është paralajmëruar përmes rrjeteve sociale, kurse regjistrimi bëhet në ambientet e kopshtit, çdo ditë pune, nga ora 10:00 deri në 13:00.
Për paraqitje nevojiten këto të dhëna:Emri dhe mbiemri i fëmijës; Data e lindjes; Emri dhe mbiemri i prindit/prindërve; Adresa e banimit; Numri i kontaktit.
Pranimi dhe regjistrimi i fëmijëve do të bëhet deri në plotësimin e kapacitetit të përcaktuar nga Ministria.
ISNISHA VELII – u.d Drejtore e Çerdhes
Objekti i çerdhes ka sipërfaqe prej 1.400 metra katrorë në parcelë të përgjithshme prej 6935 metra katrorë, dhe ka kapacitet për 155 fëmijë nga mosha 0 deri në 6 vjeç.
Ndërtimi i kësaj çerdheje është e bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian nëpërmjet Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 2).
Vlera e këtij projekti është rreth 980 mijë euro.
Investitorë në këtë projekt janë IPA- 2 Programi, Ministria e Financave- Departamenti (CFCD) dhe Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Ndërtimi i çerdhes në fshatin Përshefcë të Komunës së Tearcës filloi në fillim të vitit 2022 ndërsa objekti përfundoi në janar 2023. Ky objekt duhej të ishte gati që në prill 2023 por kjo nuk ndodhi. Faji për këtë vonesë sipas autoriteteve komunale aso kohe mbeti te rrjeti i ujësjellësit. Më pas hapja vazhdoi të zvarritet me procedurat administrative për punësimet.
