Site icon Tetova Expres

MICKOSKI: NËSE OPOZITA KËRKON “PO” ZGJEDHJEVE – BDI, “JEMI GATI”!

Qytetarët aktualisht nuk kërkojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare, por presin vazhdimin e reformave dhe proceseve që po i zbaton Qeveria aktuale, tha gjatë një prononcimi për mediat Kryeministri Hristijan Mickoski.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, Mickoski theksoi se koalicioni që ai drejton ka një mandat katërvjeçar të marrë nga qytetarët, por, sic u shpreh Kryeministri, nëse opozita mendon se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme, pushteti është i gatshëm të përballet me një sfidë të tillë.

„Qytetarët nuk duan zgjedhje, qytetarët duan reforma dhe vazhdimësi të proceseve që i udhëheq kjo Qeveri. Ne si koalicion kemi marrë legjitimitet nga qytetarët për të qenë Qeveri për katër vjet. Por, nëse opozita mendon se janë të nevojshme zgjedhjet e parakohshme, ne nuk do të qëndrojmë mënjanë si frikacakë, por do t’i përgjigjemi pozitivisht kësaj kërkese dhe, natyrisht, do t’i fitojmë“

I menjëhershëm ka qenë reagimi i integristëve. Sic thuhet në një komunikatë, Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndet gatishmërinë e shprehur nga kryeministri Hristijan Mickoski për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse këtë e kërkon opozita.

BDI kërkon që deklarata e kryeministrit të shndërrohet menjëherë në veprim.

Advertisement

“Kërkojmë që brenda ditëve të përcaktohet afati më i shpejtë kushtetues, të fillojnë përgatitjet zgjedhore dhe qytetarëve t’u jepet mundësia të vendosin për drejtimin e vendit. Nëse oferta e kryeministrit është serioze, nuk ka arsye për vonesa, arsyetime apo kalkulime politike. Opozita e ka dhënë përgjigjen e saj. BDI është e gatshme. Le të shpërndahet Kuvendi. Le të caktohet data. Le të shkojmë në zgjedhje”

Nga BDI shprehen se më në fund edhe kryeministri e ka kuptuar se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe se vendi ka nevojë për një mandat të ri politik.

Sipas tyre, Qeveria e humbi legjitimitetin për të vazhduar me izolimin evropian, degradimin e marrëdhënieve ndëretnike, cenimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe dobësimin e përfaqësimit të shqiptarëve në institucione./TV Koha/

Exit mobile version