Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit e ka mbyllur lëndën për prokurimet publike për ndërtimin e 19 spitaleve modulare në vend. Prokurorja Verica Berxhecka, në një brifing me gazetarët sot, tha se nuk ekziston dyshim i bazuar për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare gjatë procedurave të prokurimit publik.
Lënda ishte hapur më 10 shtator 2021, pas marrjes së informacionit nga burime publike, pas ngjarjes tragjike në qendrën Covid në Tetovë.
Në atë kohë, Prokuroria kishte njoftuar se do të kontrollonte dokumentacionin për prokurimin dhe ndërtimin e të gjitha spitaleve.
Është analizuar dokumentacion i gjerë dhe kompleks, ndërsa lënda, e cila fillimisht ishte te prokurorja Vilma Ruskoska, përmes Elizabeta Josifovskës përfundoi te Berxhecka.
Zjarri në spitalin modular në Tetovë ndodhi më 8 shtator 2021, ku jetën e humbën 14 persona, ndërsa rreth dhjetë të tjerë u lënduan.
Prokuroria ka shqyrtuar edhe dokumentacionin lidhur me aktivitetet e Bankës Botërore pas zjarrit në spitalin modular në Tetovë. Në tetor të vitit 2021, u vizituan objektet në Gostivar, Strugë, Prilep, Veles dhe Shtip, ku u kontrollua përputhshmëria me standardet e projektit, siguria dhe mbrojtja nga zjarri.
Sipas dokumentacionit të mbledhur, ekipi i Bankës Botërore ka konfirmuar se procedura e prokurimit ishte zhvilluar në përputhje me rregullat në fuqi të bankës dhe se mallrat e dorëzuara përputheshin me specifikimet teknike të përcaktuara.
Pas analizimit të të gjitha provave dhe kontrolleve të kryera, Prokuroria nuk ka konstatuar fakte që do të tregonin se ndonjë zyrtar e ka keqpërdorur ose tejkaluar pozitën dhe autorizimet zyrtare, apo se nuk e ka kryer detyrën zyrtare me qëllim për të siguruar përfitim të konsiderueshëm pasuror ose për të shkaktuar dëm të konsiderueshëm.
Për këtë arsye, prokurori publik kompetent ka vlerësuar se faktet e konstatuara nuk përmbushin elementet ligjore të veprës penale „Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar“.
Si rrjedhojë, është konstatuar se nuk ka bazë për dyshim për vepër penale që ndiqet sipas detyrës zyrtare dhe se nuk ka bazë për vazhdimin e procedurës së mëtejshme nga Prokuroria Publike për këtë lëndë.
