Site icon Tetova Expres

Kronika e zezë – Tetovë dhe Gostivar, 20 Gusht

Dje, në orën 12:25, zyrtarë policorë nga Departamenti Policor në Mavrovë e privuan nga liria një 37-vjeçar nga fshati Duf, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “rrezikim të sigurisë”. Më herët, në orën 09:00, një 45-vjeçar nga fshati Nikiforovë, përgjegjës në NP Parku Kombëtar “Mavrovë”, kishte raportuar se më 17.08.2026, rreth orës 16:00, 37-vjeçari e kishte kërcënuar përmes telefonit, pasi nuk i ishte lëshuar fletëdërgesë për dru pa pagesë paraprake. Sipas denoncimit, më 18.08.2026, pasi policia ia kishte konfiskuar automjetin transportues, ai kishte hyrë me forcë në zyrën e përgjegjësit në administratën e parkut kombëtar dhe e kishte kërkuar atë. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

……Dje, në orën 11:00, në urën mbi lumin Vardar në rrugën “Braqa Gjinoski” në Gostivar, zyrtarë policorë nga SPB Gostivar e kanë arrestuar një 48-vjeçar nga Gostivari, pasi nën ndikimin e alkoolit kishte prishur rendin dhe qetësinë publike me sjellje të pahijshme dhe shqetësim të kalimtarëve. Pas dokumentimit të plotë të rastit, ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.

……Dje, në orën 13:10, në SPB Tetovë është raportuar se në fshatin Shipkovicë të Tetovës, një 66-vjeçar nga fshati, gjatë kryerjes së punëve në oborrin e tij, kishte rënë nga një mur, me ç’rast kishte pësuar lëndime të rënda trupore, të konstatuara në Spitalin Klinik të Tetovës. Këqyrje në vendin e ngjarjes ka kryer një ekip i SPB Tetovë.

……Dje, në orën 12:45, në Departamentin Policor në Tearcë, një grua 80-vjeçare nga një fshat i Tetovës ka raportuar se rreth orës 12:00, në oborrin e saj, pas një debati të mëparshëm, ishte sulmuar fizikisht nga i afërmi i saj nga i njëjti fshat. Po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit.

……Dje, në orën 21:05, në rrugën “Zhelezniçka” në Gostivar, zyrtarë policorë nga SPB Gostivar e kanë privuar nga liria një 20-vjeçar nga Gostivari. Gjatë një kontrolli në komunikacion është konstatuar se ai drejtonte një automjet të tipit “Volksvagen Golf”, me targa të Gostivarit, pa poseduar leje drejtimi. Automjeti është konfiskuar, ndërsa pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.

Advertisement

……Dje, në orën 21:20, në SPB Gostivar, nga Qendra Shëndetësore e Rostushës është raportuar se tek ata ishte sjellë me lëndime të rënda trupore një 33-vjeçar nga fshati Vidushe. Pas masave të ndërmarra nga zyrtarët policorë, është konstatuar se ai ishte lënduar vetë në shtëpinë e tij gjatë thyerjes së xhamit të derës. Këqyrje në vendin e ngjarjes ka kryer një ekip i SPB Gostivar.

……Dje, në orën 23:10, zyrtarë policorë nga Departamenti Policor në Kamjan e kanë privuar nga liria një 45-vjeçar nga fshati Bogovinë, pas një denoncimi paraprak nga një 41-vjeçare nga Bogovina se rreth orës 21:30, para shtëpisë së saj, ai kishte sulmuar fizikisht djalin e saj të mitur. Ai është mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të parashtrohet kallëzim përkatës.

…..Pas mesnate, në orën 02:00, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë i kanë privuar nga liria një 24 dhe një 34 vjeçar, të dy nga fshati Tearcë, si dhe një 41 dhe një 47 vjeçar, të dy nga fshati Gjermë, pasi në një objekt hotelierik në rrugën “Marshal Tito” në Tetovë kishin prishur rendin dhe qetësinë publike me një përleshje fizike mes tyre. Ata janë mbajtur në stacionin policor dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tyre do të parashtrohet kallëzim përkatës.

Exit mobile version