Site icon Tetova Expres

Mickoski për vendimin e Abazit: 14 persona u dogjën të gjallë në spitalin modular në Tetovë, ndërsa Prokuroria nuk konstatoi përgjegjësi, rasti nuk ka përfunduar, gjithmonë mund të dalin detaje të reja

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot, duke iu përgjigjur pyetjes gazetareske se si e komenton vendimin e Prokurorisë Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar, të udhëhequr nga Islam Abazi, për ta ndalur procedurën lidhur me ndërtimin dhe vendosjen e spitaleve modulare, pa ndjekje penale ndaj asnjë personi juridik apo fizik, theksoi:

„Opinioni duhet ta dijë se ky është një proces që zgjat tashmë 5 vjet. Proces i cili gjatë këtyre 5 viteve ka mobilizuar rreth vetes informacione të ndryshme. Por, ajo që është gjithashtu e rëndësishme të theksohet është se në spitalin modular në Tetovë u dogjën të gjallë 14 persona. Do ta përsëris, u dogjën të gjallë 14 persona në spitalin modular në Tetovë.

Për fat të keq, prokurori i cili tashmë është në largim – pasi, sipas informacioneve që kam, është shpallur konkurs për zgjedhjen e një prokurori të ri në Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar – supozoj se vendosi t’i përmbushë deri në fund detyrimet e tij ndaj qeverisë së mëparshme dhe nuk i bën përshtypje fakti që 14 persona u dogjën të gjallë. Do ta përsëris, u dogjën të gjallë 14 persona, kjo nuk do të thotë asgjë për të dhe vendos ta ndalë këtë proces.

Por, dua që opinioni ta dijë se kjo nuk është amnisti politike nga ana e këtij prokurori ndaj ish-urdhërdhënësve të tij, sepse gjithmonë mund të dalin detaje të reja që lidhen me këtë proces dhe gjithmonë ky proces mund të bëhet sërish aktual dhe të niset nga fillimi.

Kështu që, shumë herë i kam komentuar ato vendime në kuadër të sistemit tonë gjyqësor dhe për fat të keq një nga ato vendime skandaloze është edhe ky. Ajo që më huton mua dhe që vjen si mesazh nga opozita, është se deri dje ata që kritikonin për qasjen e organeve të drejtësisë, tani i lavdërojnë dhe janë plot lëvdata për punën e tyre dhe të ashtuquajturin objektivitet. Por, do ta përsëris, ky prokuror dhe njerëzit që e kanë udhëhequr këtë rast nuk gjetën prova për kryerjen e një vepre penale në një rast në të cilin njerëzit digjeshin të gjallë.“

Advertisement
Exit mobile version