Mëngjesin e sotëm janë zvogëluar turmat në pikën kufitare Tabanoc në drejtim të Serbisë fqinje, pasi dje u krijuan kolona kilometrike në dalje nga vendi ynë. Kjo ndodhi në ditën e parë pas zbatimit të sistemit “Qyteti i Sigurt”, i cili parashikon gjoba edhe për makinat me targa të huaj. Aktualisht, në Tabanoc funksionojnë tetë sportele për pagesën e gjobave për shoferët e huaj, ndërsa kontrolli dhe pagesa e gjobës zgjasin deri në 15 minuta për një shofer. Procedura tani është organizuar në atë mënyrë që ndahen vetëm automjetet për të cilat është evidentuar shkelje, ndërsa drejtuesit e tjerë vazhdojnë rrugën drejt daljes nga Maqedonia e Veriut.
Ministria e Punëve të Brendshme ka informuar opinionin se është vënë në funksion aplikacioni ueb me ndërfaqe për pajisjet mobile “Qyteti i Sigurt”, i cili në këtë fazë u dedikohet shtetasve të huaj, përkatësisht pronarëve dhe drejtuesve të automjeteve me targa të huaja.
Shoferët me targa të huaja tani mund të ndalohen në pikën kufitare Tabanoc gjatë largimit nga Maqedonia e Veriut, nëse automjeti i tyre paraprakisht është regjistruar nga kamerat e sistemit “Qyteti i Sigurt”.
Përmes aplikacionit, shtetasit e huaj mund të marrin në mënyrë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë informacione për kundërvajtjet në trafik të evidentuara nga sistemi “Qyteti i Sigurt”, të kenë qasje në urdhërpagesat e lëshuara për kundërvajtje, si dhe t’i paguajnë gjobat në mënyrë elektronike.
Gjatë kyçjes në aplikacion, shoferi duhet të fotografojë ose të skanojë dokumentin e tij të udhëtimit dhe të vendosë targën e automjetit ose automjeteve që përdor në vendin tonë.
Në këtë mënyrë, shoferët e huaj, të cilët me automjetet e tyre evidentohen se kanë kryer kundërvajtje në trafik në territorin e gjithë vendit, do të mund të informohen me kohë dhe në mënyrë të thjeshtë dhe ta rregullojnë detyrimin e tyre, pa pasur nevojë për ndalesa shtesë në pikat kufitare.
Kontrolli nuk vlen vetëm për kundërvajtjet e kryera nga dita e zbatimit të sistemit, por edhe për kundërvajtjet e evidentuara më herët, që nga 1 shkurti 2026.
Nëse gjoba nuk paguhet sipas procedurës së paraparë, rasti mund t’i dërgohet gjykatës kompetente.
Dita e parë e zbatimit të “Qytetit të Sigurt” edhe për shoferët e huaj, dje u prit me reagime negative nga turistët që dilnin nga vendi përmes pikës kufitare Bogorodicë në drejtim të Greqisë.
Masa e re shkaktoi krijimin e radhëve të automjeteve, pronarët e të cilave u udhëzuan të paguanin gjobat, ndërsa kishte edhe udhëtarë që nuk ishin të informuar për masën e re.
Në fund të ditës së djeshme, pasi u hapën më shumë sportele për pagesën e gjobave, turma u zvogëlua. Megjithatë, një pjesë e turistëve serbë reaguan me zemërim ndaj masës së re të policisë maqedonase, ndërsa disa deklaruan se në të ardhmen, për të udhëtuar drejt Greqisë, do të përdorin rrugën përmes Bullgarisë.
