Kanë kaluar 24 orë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga VLEN-i ende asnjë fjalë. Në këtë mënyrë kanë reaguar nga BDI-ja pasi ditëve të fundit u riaktualizuan kërkesat për zgjedhje të parakohshme në vend.
Madje këtë reagim, BDI-ja në rrjetet sociale e ka ilustruar me një fotografi me mbishkrimin “KALUAN 24 ORË, s’VLEN-I ENDE I STRUKUR DHE PA ZË PËR ZGJEDHJE TË PARAKOHSHME”.
Ata që shkelën legjitimitetin, tani fshihen sapo u kërkohet që legjitimitetin ta matin para qytetarëve. s’Vlen-i e di se nuk e ka pasur dhe nuk e ka mbështetjen e shqiptarëve. E di se pushteti i tij mbështetet te lëmosha e padronëve politik dhe te frika nga vota e lirë. Nëse kanë marrë leje, le t’i pranojnë zgjedhjet e parakohshme. Heshtja e tyre tashmë është përgjigje: kanë frikë nga qytetarët dhe nga verdikti që i pret.
BDI-ja e ka humbur betejën me shqiptarët, zgjedhjet do ta vulosin fundin. Kjo ka qenë kundërpërgjigja e VLEN-it, duke pohuar se BDI para se të kërkojë zgjedhje, sic thonë, duhet të shpjegojnë pse askush në partinë e tyre nuk mori përgjegjësi politike pas humbjes në zgjedhjet lokale.
Edhe në VLEN janë paraqitur kreativ. Reagimi i tyre është shoqëruar me një fotografi të një tubimi parazgjedhor.
Bisedat për legjitimitet dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme janë vetëm për në shtëpi, për t’i mbajtur të njëjtët politikanë në kondicion dhe për t’u shitur shpresë se së shpejti do të kthehen në pushtet për të vjedhur përsëri. Por këto përralla nuk kalojnë më as në Reçicë të Vogël.BDI-ja e di shumë mirë se më pak se një vit më parë, shqiptarët me votë i larguan nga të gjitha komunat me shumicë shqiptare dhe se çdo përballje e re me qytetarët do të thotë një tjetër shuplakë për ta. Në zgjedhjet e ardhshme, qytetarët do ta përfundojnë punën dhe kjo udhëheqje e pareformuar e cila funksionon si një politbyro, do ta dërgojnë direkt në pension politik.
Shumica parlamentare është e fokusuar në punë, por nuk përjashtohet mundësia t’i përgjigjet kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme parlamentare, deklaroi kryeministri Mickoski.
Ai tha se koalicioni qeveritar ka legjitimitetin për një mandat të plotë katërvjeçar dhe nuk mendon për zgjedhje të parakohshme. Sipas tij, qytetarët nuk duan zgjedhje, por edhe nëse ka të tilla, ai është i sigurt në fitore të partive që aktualisht formojnë shumicën parlamentare./Tv Koha/
