Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se LSDM-ja është e gatshme për zgjedhje, madje edhe nëse ato do të mbaheshin menjëherë.
Ai potencoi se LSDM-ja nuk do të jetë alibi e Mickoskit për zgjedhje të parakohshme, duke vënë në dukje se kryeministri ka shumicë prej dy të tretash dhe mund të marrë vetë vendim për shpalljen e zgjedhjeve.
“Ne nuk do të jemi alibi për zgjedhjet e parakohshme të kryeministrit Hristijan Mickoski. Është e qartë se i vetmi parametër që e shtyn të kërkojë zgjedhje është fakti se nuk ka më para në buxhet për tenderët e tij kriminalë. Tani nuk ka as nga ku të marrë hua kaq lehtë, sepse mentori i tij Orban nuk është më në pushtet dhe nuk ka nga ku të marrë para kineze. Ne jemi të gatshëm për zgjedhje. Nëse mbahen nesër, ne jemi të gatshëm që nesër, edhe me ekipin, edhe me programin, me master-planin për Maqedoninë dhe marrëveshjen me qytetarët, të cilën do ta prezantoj gjatë shtatorit”
Filipçe, paralajmëroi gjithashtu se në prag të zgjedhjeve të ardhshme po forcohet makineria propagandistike e pushtetit përmes blerjes së mediave dhe hyrjes së strukturave mediatike serbe në Maqedoni.
“Dhe tani, në gjithë këtë situatë, kur duket qartë se po përgatiten për zgjedhje, pavarësisht nëse do të jenë të parakohshme, përveç mediave që ky pushtet tashmë i ka, 40 për qind e numrit të përgjithshëm të mediave në vendin tonë janë nën kontrollin e njerëzve të afërt me Orbanin, ndërsa tani po përgatitet të hyjë edhe artileria e rëndë propagandistike serbe, në krye me ‘Alo Media’”
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi gjithashtu se bashkimi i opozitës mund të bëhet vetëm rreth politikave të qarta proevropiane dhe Frontit për të Vërtetën dhe Drejtësinë, ndërsa siç tha, “Levica” fillimisht duhet të heqë dorë nga politikat e saj proruse dhe nga Hristijan Mickoski./Tv Koha/
