Me furgon policie, mëngjesin e 24 gushtit, në Gjykatën Themelore Penale në Shkup u dërgua ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, në seancën e tij të parë si i akuzuar në rastin që lidhet me Lotarinë Shtetërore, ku dëmi i vlerësuar ndaj buxhetit është 8.2 milionë euro, transmeton Portalb.mk.
Megjithatë, sapo filloi gjykimi, gjyqtarja lexoi të dhënat bazë për të akuzuarit dhe seanca u shty me kërkesë të njërit prej avokatëve të të akuzuarve, në mënyrë që ai të shqyrtojë dosjen e lëndës dhe të përgatisë mbrojtjen.
Së bashku me Grubin, në këtë rast janë gjithsej tetë të akuzuar. I akuzuari i parë është ish-drejtori i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili është në arrati dhe ndaj tij gjyqi zhvillohet në mungesë.
Të gjithë të tjerët janë të pranishëm dhe sot u paraqitën në sallën e gjyqit. Mes tyre janë ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Lotarisë Shtetërore.
Për secilin prej tyre, prokurorët Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski sollën në sallën e gjyqit nga një kuti kartoni të bardhë, të mbushur me prova të mbledhura gjatë hetimit.
Prokuroria ka gjithsej 231 prova materiale (dokumente), si dhe shtatë dëshmitarë. Kopjet e tyre u vendosën në tetë kutitë e kartonit, nga një për secilin të akuzuar, të cilat pas përfundimit të seancës i morën me vete të akuzuarit ose avokatët e tyre.
Aktakuza për këtë rast u dorëzua më 13 gusht. Bëhet fjalë për një propozim-akuzë dhe gjykimi do të zhvillohet sipas procedurës së shkurtuar.
Të tetë të akuzuarit ndiqen penalisht për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizimeve.
