Nga BDI thonë se dokumentet zyrtare dëshmojnë se projekti për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë nuk është projekt i krijuar nga pushteti aktual, por një projekt për të cilin në kohën e qeverisjes së BDI-së ishin ndërmarrë hapa konkretë në aspektin e projektimit, sigurimit të financimit dhe procedurave të tenderimit.
Sipas tyre, më 27 qershor 2022, Kuvendi miratoi Ligjin për garancinë shtetërore të detyrimeve për huanë që do të përdorej për financimin e projektit TEN-T për autostradën nga Shkupi deri në kufirin me Kosovën.
“Dokumenti zyrtar mban nënshkrimet e presidentit të atëhershëm Stevo Pendarovski dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Pra, në kohën kur BDI ishte pjesë e qeverisë, për projektin Shkup- Bllacë ishin krijuar dhe avancuar elementet themelore për realizimin e tij: projektimi, sigurimi i bazës financiare dhe zhvillimi i procedurave të tenderimit. Kjo dëshmi rrëzon çdo tentativë për të krijuar përshtypjen se autostrada Shkup- Bllacë është një projekt i nisur nga zero nga qeverisja aktuale”.
