Tetovës i duhen drunj, jo prerje!
Kështu thonë nga “Më Mirë për Tetovën” duke shprehur shqetësime dhe kundërshtuar ashpër praktikën, sic thonë ata, primitive dhe të papërgjegjshme të prerjes së vazhdueshme të drunjve në Tetovë, në kohën kur po përballemi me pasojat gjithnjë e më të rënda të ngrohjes globale, temperatura ekstreme dhe ndotje të rëndë të ajrit.
“Më Mirë për Tetovën” duke publikuar fotografi nga aksionet e komunës së Tetovës për prerjen e drunjve, rikujton se hija e drunjve mund t’i mbajë sipërfaqet 11 deri 25 gradë më të freskëta krahasuar me ato të ekspozuara drejtpërdrejt në diell.
Kërkojmë nga Komuna e Tetovës që për çdo dru të prerë të bëjë publike bazën dhe vendimin me të cilin është lejuar prerja, si dhe vlerësimin profesional mbi nevojën e ndërhyrjes. Ligji për gjelbërimin urban përcakton procedurë për prerjen dhe krasitjen e drunjve – këto ndërhyrje nuk mund të bëhen në mënyrë arbitrare. Kërkojmë gjithashtu transparencë për masat kompensuese dhe zëvendësimin e drunjve të prerë. Një dru i madh nuk zëvendësohet thjesht me një fidan. Duhen vite e dekada për të rikthyer hijen dhe vlerën ekologjike që humbasim sot.
Tetova ka nevojë për gjelbërim, por edhe për përgjegjësi dhe fakte – kundërpërgjigjen nga Komuna e Tetovës, duke sqaruar se çdo ndërhyrje në gjelbërimin urban bëhet për arsye konkrete dhe me qëllim të mbrojtjes së qytetarëve dhe mirëmbajtjes së hapësirave publike.
NPK “Tetova” nuk është kundër gjelbërimit, përkundrazi, në periudhën e fundit janë mbjellë qindra fidanë të rinj, janë zëvendësuar drunj të dëmtuar dhe është punuar në mirëmbajtjen dhe zgjerimin e hapësirave të gjelbra në qytet. Ne besojmë se debati për gjelbërimin e Tetovës duhet të bazohet në fakte, ekspertizë dhe punë konkrete, e jo në deklarata politike që krijojnë përshtypjen se çdo ndërhyrje është e pajustifikuar.
Komuna e Tetovës, ka sjellë dëshmi dhe fakte rreth gjendjes se drunjve, ku është publikuar një mendim i ekspertëve nga 06 Gushti i këtij viti, lidhur me urgjencën e intervenimit për një dru në oborrin e Gjimnazit të Tetovës, ku ekspertët nga Fakulteti për Shkenca Pyjore dhe Katedra për Botanikë dhe Dendrologji , kanë rekomanduar që me urgjencë druri në fjalë të mënjanohet pasi paraqet rrezik potencial për nxënësit dhe të punësuarit në Gjimnazin e Tetovës./Tv Koha/
