Pas dy dekadash pritje, sot zyrtarisht u hodh gurthemeli i autostradës Shkup–Bllacë.
Në ceremoninë zyrtare të nisjes së punimeve, përveç kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Atmosferë nga hedhja e gurthemelit
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, tha se kjo autostradë do të lehtësojë qarkullimin e mallrave mes dy vendeve dhe do ta kthejë Shkupin në një qendër të rëndësishme të rajonit.
“Sot jemi dëshmitarë të fillimit të këtij projekti, i cili për këtë Qeveri ishte prioritet që nga koha kur morëm detyrën, para 25–26 muajsh. Është një projekt që për ne ka shumë domethënie. Për dy vendet tona, për qytetarët e Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut, do të nënkuptojë ekonomi më të mirë, shkëmbim më të madh, transport më të mirë dhe, gjithashtu, lidhje më të mira. jemi shtet që nuk kemi dalje në det por kemi fatin të jemi udhëkryqi kryesor i dy korridoreve të rëndësishme pan-evropiane, Korridorit 8 dhe 10d, ky projekt është shumë i rëndësishëm. Pas 20 vitesh, ky projekt po bëhet realitet. Ishte premtim i kësaj Qeverie, VMRO–VLEN–ZNAM, dhe pres që në një kohë të shkurtër të shohim avancim të madh në terren.”
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, foli për përfitimet që të dyja vendet do t’i kenë nga ky aks i rëndësishëm, por edhe për projektet e tjera të përbashkëta, përfshirë rrugën Tetovë–Prizren.
“Këtij vizioni i përket edhe projekti Prizren–Tetovë, përmes tunelit, të cilin po e realizojmë gjithashtu bashkërisht. Këto projekte janë ura gjigante të zhvillimit, bashkëpunimit dhe afrimit mes qytetarëve tanë. / Një falënderim i veçantë shkon edhe për koalicionin e partive shqiptare për kontributin e tyre në punë të mira e të mbara, në shërbim të qytetarëve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve.”
Në ceremoni, përveç zyrtarëve qeveritarë, morën pjesë edhe dy liderët e VLEN-it, Bilall Kasami dhe Izet Mexhiti.Pas ceremonisë së hedhjes së gurthemelit, krerët e VLEN-it pritet të zhvillojnë sot një takim kokë më kokë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti./Tv Koha – Shkup/
