Avionët ushtarakë amerikanë, të angazhuar në operacionet që lidhen me luftën me Iranin, çdo ditë ulen dhe ngrihen nga aeroportet maqedonase, ndërsa një pjesë e tyre qëndrojnë këtu para se të nisen sërish drejt Gjirit Persik.
Këtë e ka bërë të ditur kryeministri Hristijan Mickoski në një intervistë për mediumin amerikan „Breitbart Neës“, pjesa e parë e së cilës u publikua pardje. Bëhet fjalë për pjesën e intervistës ku kryeministri flet për mbështetjen konkrete që Maqedonia e Veriut u jep Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
„Breitbart“ e vendos përdorimin e aeroporteve maqedonase drejtpërdrejt në kontekstin e luftës me Iranin, duke theksuar se Forcat Ajrore të SHBA-së i përdorin ato si lokacion strategjik pranë Lindjes së Mesme.
„Forcat Ajrore amerikane i përdorin aeroportet tona, kështu që çdo ditë avionë të Forcave Ajrore amerikane ulen dhe ngrihen nga aeroportet tona. Disa prej tyre i përdorin aeroportet tona për parkim, për pak pushim, dhe më pas nisen sërish drejt Gjirit.Kemi qiell të hapur për avionët amerikanë, për avionët ushtarakë, dhe jemi krenarë dhe të gatshëm të ofrojmë një mbështetje të tillë për Forcat Ajrore amerikane“
Në intervistë nuk bëhet e ditur se për cilat lloje të avionëve ushtarakë amerikanë bëhet fjalë, dhe as në cilat aeroporte maqedonase ulen. Gjithashtu, nuk sqarohet nëse gjatë qëndrimit në vend kryhet furnizim me karburant apo ndonjë lloj tjetër furnizimi logjistik. Mickoski konkretisht flet për „parkim“ dhe „pushim“, pas së cilave, sipas tij, avionët vazhdojnë sërish drejt Gjirit Persik.
Mickoski këtë bashkëpunim e vendos në një kontekst më të gjerë të partneritetit strategjik mes Shkupit dhe Uashingtonit. Në intervistë ai thotë se kur SHBA-ja kishte nevojë për mbështetjen e aleatëve, Maqedonia e Veriut „nuk u fsheh në turmë“, por qëndroi në anën e Amerikës, edhe kur kjo sillte kosto politike.
