Tetova këto ditë po përballet me temperaturat e larta të vapës afrikane. Termometri i afrohet 40 gradëve Celsius, ndërsa qyteti duket sikur ngadalëson ritmin dhe kërkon hije, freski dhe pak ajër.
Tetova në këto temperatura është një qytet që vazhdon të jetojë, por me një ritëm tjetër. Një tabelë e Drejtorisë për Punë Hidrometelereologjike tregon se në orën 14.00 në Tetovë janë matur 34.1 gradë Celsius. Por, në qytet vapa afrikane dhe netët tropikale tashmë janë bërë përditshmëri.
Rrugët në orët më të nxehta janë më të zbrazëta. Qytetarët shmangin daljet gjatë mesditës dhe, kur është e domosdoshme të dalin, kërkojnë rrugët me hije, freskojnë veten me ujë dhe përpiqen të kryejnë punët sa më shpejt.
Edhe tregtarët dhe punëtorët që janë të detyruar të qëndrojnë jashtë duhet ta përshtatin ritmin e punës. Uji, pushimet e shpeshta dhe shmangia e diellit bëhen domosdoshmëri.
Vapa ndryshon edhe zakonet. Takimet shtyhen për pasdite, aktivitetet sportive zhvendosen në orët e vona, ndërsa shumë familje preferojnë të qëndrojnë në ambiente të mbyllura gjatë pjesës më të nxehtë të ditës.
Daljet gjatë orëve të nxehta shtyhen për më vonë, pazaret dhe obligimet kryhen herët në mëngjes, ndërsa shëtitjet në qytet bëhen kryesisht në mbrëmje. Për shumë tetovarë, vera nuk është më vetëm një stinë pushimi, por një periudhë ku dita duhet planifikuar sipas temperaturës.
Në 40 gradë, qyteti nuk ndalet, në pritje të shiut, thjesht mëson të marrë frymë më ngadalë./Tv Koha/
