Site icon Tetova Expres

MBYLLET SHKOLLA NË SELLCË TË KEQE, ASNJË NXËNËS I REGJISTRUAR!

Rruga drejt shkollës periferike “Abdyl Frashëri” në fshatin Sellcë e Keqe sot është plotësisht e heshtur. Oborri ku dikur dëgjoheshin zërat e fëmijëve, këtë shtator ka mbetur bosh. Për shkak të mungesës absolute të nxënësve, Ministria e Arsimit ka vendosur që këtë vit dyert e saj të qëndrojnë të mbyllura. Autoritetet lokale arsimore konfirmojnë se shkolla ka mbetur pa asnjë paralale aktive. Megjithëse procedurat administrative për mbylljen e saj përfundimtare juridike ende vazhdojnë, procesi mësimor këtu ka ndaluar plotësisht.

Minur Asani – Sektori për Arsim, Komuna e Bogovinës:
“Rastin konkret, në bazë të të dhënave që na i dërgoi shkolla fillore ‘Abdyl Frashëri’, më konkretisht për shkollën periferike në fshatin Selltë e Keqe, nuk kemi të regjistruar asnjë nxënës dhe nuk kemi asnjë nxënës edhe prej klasës së dytë deri në klasën e nëntë. Dhe de facto ne, normalisht, e informuam Ministrinë që ajo shkollë nuk ka asnjë nxënës. Ne normalisht, juridikisht ende nuk e kemi mbyllur atë shkollë, me shpresë që ndoshta në të ardhmen do të kemi ndonjë nxënës. Mirëpo në… të dhënat që i kemi dërguar në Ministri, kemi transmetuar se ajo shkollë momentalisht nuk ka nxënës. Nëse do të paraqitet ndonjë nxënës brenda vitit, domethënë ai do të bartet me transport në shkollën qendrore në Bogovinë.”

Sellca e Keqe nuk është i vetmi fshat që përballet me shpopullimin e bankave shkollore. Trendi alarmant i rënies së numrit të nxënësve po prek edhe vendbanime të tjera të Komunës së Bogovinës, si Jellovjani, ku në të gjitha klasat numërohen vetëm tre nxënës, ndërsa në klasë të parë nuk u regjistrua asnjë pranim i ri.

Minur Asani – Sektori për Arsim, Komuna e Bogovinës:
“Po, në fshatin Jellovjan për momentin në klasë të parë nuk ka të regjistruar asnjë nxënës. Në fshatin Novosellë kemi 18 nxënës. Gazetari: Sa nxënës ka në fshatin Jellovjan në tërësiNë tërësi atje ka 3 nxënës.”

Gjendja në Bogovinë pasqyron një problem më të gjerë në nivel vendi. Vetëm për këtë vit shkollor, Ministria e Arsimit ka marrë vendim për mbylljen e 26 shkollave periferike në të gjithë Maqedoninë e Veriut si dhe 433 paraleleve, si pasojë e braktisjes së fshatrave dhe rënies drastike të natalitetit.

Advertisement
Exit mobile version