Në ‘’LOJËRAT EVROPIANE TË ATLETIKËS PËR FËMIJË 2026’’ që u mbajt në Brno të Republikës Çeke ku morën pjesë afro 3.000 atlet nga 27 vende evropiane paraqitje të shkëlqyeshme kishin edhe pesë atletët e klubit të atletikës Kamjani.
Klubi i atletikës Kamjani me pesë garues ishte pjesëmarrëse në Lojërat Evropiane të Atletikës për Fëmijë deri në moshën U-15 që u mbajt në Brno të Republikës Çeke.
Paraqitja e garuesve të Kamjanit ishte dinjitoze përkundër faktit se për herë të parë e përfaqësonin Maqedoninë e Veriut në këto gara ku merrnin pjesë afro 3.000 atletë nga 300 klube të 27 vendeve evropiane.
Pas kthimit nga Brno trajneri Ibraim Xhemaili për TV Koha tha se krahas garave, atletët e Kamjanit patën nderin të bartin edhe pishtarin Olimpik .
‘’Patëm nderin si Klubi i Atletikës Kamjani të përfaqësojmë Maqedoninë në garat Evropiane të Atletikës të mbajtura në Brno për grupmoshat U-16, ku numri i atletëve ishte mbi 3000, kurse numri i klubeve ishte mbi 300. Nga Maqedonia kishte edhe një klub tjetër që ishte pjesëmarrës, ishte klubi i atletikës Aerodrom, me 3 pjesëmarrës, ndërsa ne ishim me 5 pjesëmarrës. Me rezultatet e arritura atje jemi tepër të kënaqur, sepse atletët tonë, treguan një nivel të lartë, treguan disiplinë, dhe treguan konkurrencë të fortë, ku u përballën me atletët më të fortë të Evropës, dhe ishin në mesin e dhjetë apo pesëmbëdhjetë më të mirëve, me këtë unë si trajner realisht krenohem. Patëm edhe një nder tjetër, ku në hapjen solemne të këtyre garave, u përzgjodhën dy atletët tanë që të jenë bartës të pishtarit olimpik, ku vrapuan 50 metra me mbajtjen e pishtarit, dhe kjo na bën një nder më tepër për klubin tonë’’.
Trajneri Xhemaili tha se me paraqitjen e garuesve të Kamjanit është shumë i kënaqur duke pasur para sysh se kjo ishte pjesëmarrja e tyre e parë në këtë nivel me masivitet të jashtëzakonshëm të garave.
‘’Po ato u paraqitën në mënyrën më dinjitoze që mundën, ato bënë rezultet e tyre më të mira, ndoshta ishin pak të lodhur edhe nga rruga, sepse bëmë një rrugë të gjatë, mirëpo prapë se prapë ato bënë një paraqitje më të mirë. Shpresojmë që edhe tek ne, në komunën tonë, ndoshta së shpejti shpresojmë që të bëhet një pistë e atletikës në bashkëpunim me kryetarin Feti Abazi, që të jemi edhe më të përgatitur, më të avancuar në pistën e atletikës, të punojmë me sprinte dhe të jemi më konkurrues me ata. Shpresojmë edhe për medalje të luftojmë vitet e ardhshme’’.
Pjesë e ekipit “LOJËRAT EVROPIANE TË ATLETIKËS PËR FËMIJË 2026’’ në Brno të Çekisë ishin Arti Xheladini, Dijar Xhemaili, Berina Sinani, Amela Abdiji dhe Eljana Sallai.
Ndërsa klubi i atletikës Aerodrom nga Shkupi mori pjesë me 3 garues.
