Shkollat duhet t’i respektojnë protokollet për punë gjatë temperaturave tepër të larta, porositi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska. Rregullat përcaktojnë edhe se kur duhet të hapen apo të mbyllen dritaret dhe cilat aktivitete duhet t’i zhvillojnë nxënësit. Protokollet janë publikuar në ueb-faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), ndërsa u janë dorëzuar edhe të gjitha shkollave. Janevska tha se drejtuesit e shkollave dhe mësimdhënësit duhet ta përshtatin mësimin me kushtet atmosferike.
A do të shkurtohen orët mësimore në ditët kur moti do të jetë shumë i nxehtë, ishte një pyetje e gazetarëve drejtuar Ministres së Arsimit, Vesna Janevska, lidhur me vapën afrikane që ka kapluar vendin edhe në fillim të vitit shkollor dhe sipas paralajmërimeve do të vazhdojë edhe më tej.
Ministrja potencoi se shkollat duhet të veprojnë konform protokolleve për situata të këtilla, duke shtuar se nuk mund t`u ikim ndryshimeve klimatike pasi ato janë të njëjta për të gjithë fëmijët në Evropë dhe në botë.
“Udhëheqësit e shkollave dhe vet mësimdhënësit. Është pjesë e punës së tyre. Të adaptohen konform kushteve. Nëse është nxehtë, nuk do të zhvillojnë edukatë fizike, do të kenë pushim, art figurativ, muzikë, diçka tjetër… Unë nuk dua të ndërhyj në punën e tyre, por ja, kjo mund të jetë një ide. Nëse është më freskët, mund të bëjnë edhe ndonjë ushtrim fizik. Në protokolle përcaktohet kur duhet të hapen dhe kur të mbyllen dritaret, si dhe cilat aktivitete duhet t’i kenë fëmijët. Duhet të përshtatemi me çdo gjë që do të jetë sfidë”
E pyetur nëse në shkolla do të sigurohen kondicionerë për freskim gjatë ditëve të nxehta në fillim dhe në fund të vitit shkollor, ministrja u përgjigj se do të ketë kondicionerë kur si shtet do të jemi në gjendje të sigurojmë kondicionerë në të gjitha shkollat.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Aerodromit, Dejan Miteski, deklaroi se në shkollat e kësaj Komune, orët mësimore do të shkurtohen vetëm nëse aktivizohet “faza e verdhë” për shkak të temperaturave të larta.
