Dy karateistet tetovare, Buna Sherifi dhe Erjona Emini, do të jenë pjesë e reprezentacionit të Maqedonisë së Veriut në Kampionatin Botëror për kadetë, juniorë dhe U-21, që do të mbahet në Bielsko-Biała të Polonisë nga 14 deri më 18 tetor.
Të dyja karateistet e Klubit të Karatesë “Shkëndija” janë shpallur kampione të Maqedonisë së Veriut në kategoritë e tyre. Buna Sherifi triumfoi në kategorinë -47 kilogramë, ndërsa Erjona Emini në kategorinë -54 kilogramë.
Pas suksesit në kampionatin shtetëror dhe fazës play-off, Buna Sherifi siguroi biletën për Botëror, duke bërë realitet një nga synimet më të mëdha të saj.
Buna Sherifi:
“Fillimisht dua të falënderoj trajnerin tim dhe prindërit e mi, të cilët më kanë përkrahur gjatë gjithë këtij rrugëtimi. Shpresoj që të luftoj mirë në kategorinë time. Kam përvojë edhe në Ligën Botërore dhe besoj se kjo përvojë do të më ndihmojë shumë.”
Për Buna Sherifin, rrugëtimi drejt Botërorit ka qenë i gjatë dhe kërkues, me përgatitje intensive pothuajse çdo ditë.
Buna Sherifi:
“Kemi filluar të përgatitemi që nga fillimi i vitit për garat shtetërore, për Botërorin dhe për Ballkanikun. Kemi pasur stërvitje pothuajse çdo ditë dhe mendoj se jemi përgatitur mirë.”
Për trajnerin Vegim Murati, suksesi i dy vajzave është rezultat i një pune të madhe dhe të vazhdueshme.
Vegim Murati:
“Rrugëtimi ishte shumë i gjatë dhe i vështirë. Vajzat kanë pasur përgatitje intensive për gati tre muaj, me dy stërvitje në ditë, në mëngjes dhe në mbrëmje. Në fund arritëm një sukses shumë të madh dhe shkruam historinë e karatesë në Tetovë, me dy vajza 15-vjeçare që do të udhëtojnë në Kampionatin Botëror.”
Edhe Buna Sherifi thotë se pjesëmarrja në Botëror është një motivim i madh për të vazhduar me punë.
Buna Sherifi:
“Jam shumë krenare që do të jem pjesë e Kampionatit Botëror. Do të jap maksimumin tim dhe shpresoj të bëj një paraqitje sa më të mirë.”
Ndërkohë, edhe bashkëgaruesja e saj, Erjona Emini, kampione e Maqedonisë së Veriut në kategorinë -54 kilogramë, është optimiste për paraqitjen në Poloni.
Erjona Emini:
“Për këtë sukses ndihem shumë krenare. Kemi punuar shumë së bashku me trajnerin dhe klubin. Do të vazhdojmë me punë dhe me shumë shpresë që edhe nga Kampionati Botëror të kthehemi me medalje.”
Dy talentet tetovare tashmë po i vazhdojnë përgatitjet intensive për sfidën më të madhe të karrierës së tyre.
Buna Sherifi dhe Erjona Emini – dy kampione, dy 15-vjeçare dhe një ëndërr: medalja e Botërorit në Poloni. 🥋🇲🇰
SHABAN SINANI – TV KOHA
