Site icon Tetova Expres

Radiologu Argjend Imeri: Diagnoza e historisë – Gjenocidi nuk shërohet me harresë

Reflektim i një mjeku radiolog
I. Diagnoza
Jam mjek radiolog.
Puna ime fillon aty ku shikimi nuk arrin te depërtojë, por e vërteta vazhdon.
Trupi mund të heshtë dhe pacienti mund të shpresojë, por imazhi që shoh unë, nuk guxon të negociojë me të vërtetën.
Ai e zbulon sëmundjen edhe kur askush nuk dëshiron t’ia dëgjojë emrin.
Kur pashë inçizimet nga Beogradi, arkivolin e sjellë me avion qeveritar, ushtarët që e mbanin, nderimet ushtarake, klerin, ministrat dhe turmën, nuk pashë thjesht varrimin e një njeriu. Pashë një përpjekje të organizuar për t’ia ndryshuar historisë diagnozën.
Ratko Mladiqi nuk vdiq si një “gjeneral i diskutueshëm”. Vdiq si një i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
Srebrenica nuk është çështje opinioni politik. Është gjenocid i dokumentuar dhe i gjykuar. Është varri i më shumë se tetë mijë burrave dhe djemve boshnjakë. Pas saj qëndrojnë fëmijët e vrarë të Sarajevës, gratë e dëbuara, familjet e ndara përgjithmonë dhe një tokë që ende nxjerr eshtra nga varrezat masive.
Toka ruan kockat.
Nënat ruajnë emrat.
Historia ruan përgjegjësinë.
As uniforma nuk e pastron krimin, as temjani nuk e shenjtëron, as dekoratat nuk e shndërrojnë kriminelin në hero. Shpata nuk bëhet më pak e përgjakur vetëm sepse vendoset pranë ikonave.
II. Raporti i paqartë
Në mjekësi, nëse shoh një lezion qartësisht malinj dhe e zbus përfundimin vetëm që pacienti të mos shqetësohet, nuk jam treguar njerëzor. Jam treguar i papërgjegjshëm.
Një diagnozë e paqartë nuk e ndal sëmundjen. Vetëm i jep kohë të përhapet.
Prandaj, kur nga Brukseli dëgjojmë se “nuk ishte zyrtarisht varrim shtetëror”, kjo frazë shërben si anestezi për ndërgjegjen. Emërtimi administrativ nuk e ndryshon anatominë e ngjarjes dhe as patologjinë e saj.
Kur shteti vë në dispozicion avionin, ushtarët, nderimet dhe zyrtarët e tij, radiografia politike është e qartë: kemi të bëjmë me një nderim institucional ndaj një njeriu të dënuar për gjenocid.
Evropa nuk mund të predikojë pajtimin duke shmangur diagnozën. Heshtja diplomatike përballë glorifikimit të krimit nuk është maturi. Është një raport i paplotë për një sëmundje që shihet qartë.
III. Shërimi
Ky nuk është shkrim kundër një populli.
Krimi ka emër dhe përgjegjësi individuale. Fajësimi kolektiv është po aq i padrejtë sa mohimi kolektiv. Ky është shkrim kundër atyre që e shndërrojnë krimin në krenari kombëtare dhe varrin e kriminelit në altar politik.
Është gjithashtu shkrim respekti për çdo serb që refuzon ta quajë hero një të dënuar për gjenocid. Ndërgjegjja nuk ka etni.
Si mjek, e di se një plagë e mbuluar pa u pastruar infektohet. Si njeri, e di se kujtesa nuk është hakmarrje. Është kushti i parë i shërimit.
Falja pa të vërtetën është harresë e imponuar. Pajtimi pa përgjegjësi është vetëm një fashë e pastër mbi një plagë të infektuar.
Një shoqëri fillon të shërohet kur e quan krimin me emrin e tij, nderon viktimat dhe u mëson fëmijëve se turpi nuk është ta pranosh krimin e kryer në emër të kombit tënd. Turpi është ta shpallësh kriminelin hero.
Varrimi e mbyll trupin e një njeriu. Por kur kriminelit i ngrihet altar, viktimat varrosen për herë të dytë dhe ideologjia e tij rikthehet të ecë mes të gjallëve.
Kambanat e Beogradit nuk e pastruan historinë. Vetëm treguan edhe një herë sa e thellë mbetet plaga.
Dhe një radiolog e di mirë:
ajo që shihet, por nuk raportohet, nuk zhduket. Vetëm bëhet më e rrezikshme.
Exit mobile version