Gjykata Supreme e rrëzoi vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkupit në lidhje me aksidentin e autobusit në Llaskarcë, i cili ua rriti dënimet disa prej të akuzuarve, dhe e ktheu lëndën për rigjykim dhe vendimmarrje.
Siç njoftoi Gjykata Supreme, Këshilli Penal në seancën e mbajtur më 9 shtator vendosi për rastin KVP2-86/25, i njohur në publik si rasti i aksidentit të autobusit pranë fshatit Llaskarcë, lënda është kthyer për rigjykim.
“Me vendimin në rastin KVP2-86/25, pranohen kërkesat për rishikim të jashtëzakonshëm të një vendimi përfundimtar, të paraqitura nga të dënuarit përmes avokatëve të tyre mbrojtës, revokohet vendimi i Gjykatës së Apelit të Shkupit KZ-979/24 i datës 17.04.2025 dhe çështja kthehet për rigjykim dhe vendimmarrje”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Supreme.
Gjykata e Apelit rrit dënimet për disa nga të akuzuarit në rastin “Llaskarca”
Ky është vendimi me të cilin Gjykata e Apelit në maj 2025 rriti dënimet për disa nga të akuzuarit. Dënimet e pronarit të Durmo Tours, Durmish Beluli, dhe menaxherit të transportit të kompanisë, Remzi Miftari, u rritën nga gjashtë në 10 vite burg, ndërsa dënimet e punonjësve të stacionit të kontrollit teknik, Igor Gjorgievski dhe Goran Dukovski, u rritën nga pesë në shtatë vite. Dënimet për Jane Bovarovskin dhe shoferin e autobusit Manoil Trifunovskin mbetën përkatësisht pesë dhe 14 vite burg.
Në vendimin e shkallës së parë, të dhënë në janar 2024, gjashtë të pandehurit u shpallën fajtorë për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik.
Tragjedia pranë Llaskarcës ndodhi më 13 shkurt 2019, kur një autobus i Durmo Tours doli nga autostrada Shkup-Tetovë. 16 persona humbën jetën në aksident dhe më shumë se 30 u plagosën.
