Autoritetet në Kroaci dhe Bullgari kanë bllokuar mbi 35 tonë speca me origjinë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pasi analizat laboratorike zbuluan nivele të pesticideve që nuk përmbushnin kërkesat përkatëse.
Sipas mediave lokale, në Kroaci janë asgjësuar 14,7 tonë speca të kuq me origjinë nga Shqipëria, pasi analizat zbuluan përqendrim prej 0,050 miligramësh për kilogram të fungicidit prokvinazid, përdorimi i të cilit nuk lejohet te specat.
Më herët, më 7 shtator, një ngarkesë tjetër kishte kaluar përmes një tregtari nga Maqedonia e Veriut, i cili kishte blerë specat nga një fermer shqiptar për t’i rieksportuar në Kroaci dhe sipas raportimet ai nuk kishte qenë në dijeni të nivelit të pesticidit në produkt.
Ndërkohë, raportohet se autoritetet bullgare brenda një muaji kanë ndaluar dy dërgesa me gjithsej mbi 21 tonë speca me origjinë nga Maqedonia e Veriut për shkak të niveleve të larta të pesticideve.
Në rastin e fundit, 9,5 tonë speca u ndaluan nga Agjencia Bullgare e Sigurisë Ushqimore dhe pritet të asgjësohen, ndërsa në gusht një ngarkesë tjetër prej 11,6 tonësh ishte kthyer në Maqedoninë e Veriut.
Të dyja rastet u zbuluan pas kontrolleve dhe analizave laboratorike të produkteve.
