Site icon Tetova Expres

Pesë kandidatë për kreun e ri të PTHPNKOK, sot formohen komisionet për zgjedhjen

Këshilli i Prokurorëve Publikë do të mbajë sot seancën e 50-të, në të cilën pritet të formohen komisionet që do të udhëheqin procedurën për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri të Prokurorisë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PTHPNKOK).

Sipas rendit të ditës, në seancë është paraparë formimi i Komisionit për Përgatitjen e Listave të Kandidatëve, si dhe Komisionit për Zgjedhjen e Kryeprokurorit Publik të PTHPNKOK.

Për postin e kreut të ri të kësaj prokurorie deri më tani kanë aplikuar pesë prokurorë publikë. Sipas informacionit të konfirmuar për AIM nga kryetari i Këshillit të Prokurorëve Publikë, Bashkim Besimi, kandidaturat i kanë dorëzuar prokurori i lartë publik Jove Cvetanovski, prokurori në Prokurorinë e Lartë Publike dhe ish-prokurori i PSP-së, Trajçe Pelivanov, prokurorja nga PSP-ja në Shkup, Lidija Raiçeviç, si dhe prokurorët nga PTHPNKOK, Iskra Haxhi-Vasileva dhe Faton Azizi.

Shpallja për zgjedhjen e kreut të ri të PTHPNKOK është publikuar në përputhje me Ligjin për Këshillin e Prokurorëve Publikë dhe Ligjin për Prokurorinë Publike.

Sipas kushteve të përcaktuara, për këtë pozitë mund të aplikojnë prokurorët publikë që kanë të paktën gjashtë vjet përvojë të pandërprerë në funksionin prokurorial deri në momentin e aplikimit dhe që kanë marrë vlerësim pozitiv gjatë tre viteve të fundit.

Advertisement

Zgjedhja e kryeprokurorit të ri të PTHPNKOK është planifikuar të zhvillohet më 28 tetor 2026.

Procedura për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri është iniciuar pas skadimit të mandatit të kryetarit aktual të PTHPNKOK, Islam Abazi, i cili ishte zgjedhur në këtë detyrë në tetor të vitit 2022.

Exit mobile version