Site icon Tetova Expres

SHASIVARI: NË TETOR TAKIME ME STUDENTËT SHQIPTARË!

Kur do të mund ta japin provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe studentët shqiptarë? Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, thotë se kjo nuk është çështje etnike apo politike, por juridike dhe institucionale. Ai paralajmëroi takim me organizatat studentore në tetor, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për dhënien e provimit në gjuhët e përcaktuara me ligj.

Provimi i jurisprudencës në gjuhën shqipe sërish në fokus të Kuvendit.

Pyetjes së deputetes Diana Toska se kur studentët do të mund ta japin këtë provim në shqip, ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, iu përgjigj se gjuha mund të jetë e ndryshme, por kriteret duhet të jenë të njëjta për të gjithë.

Në Ministrinë e Drejtësisë, sipas Shasivarit, tashmë kanë arritur kërkesa nga pesë organizata studentore për mundësinë e dhënies së provimit në gjuhë të tjera.

Mes tyre janë edhe Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Tetovës, të cilat kërkojnë mundësinë e dhënies së provimit në gjuhën shqipe.

Advertisement

Shasivari thotë se kërkesat e studentëve duhet të merren seriozisht, pasi bëhet fjalë për të rinj që në të ardhmen do të jenë pjesë e sistemit juridik.

Ai paralajmëroi se në tetor do t’i ftojë përfaqësuesit e organizatave studentore në një takim koordinues, ku do të diskutohen kërkesat dhe do të kërkohet një zgjidhje institucionale për provimin e jurisprudencës në gjuhët e përcaktuara me ligj.

Exit mobile version