Shqetësimi i qytetarëve është rritur pas përleshjeve të fundit mes të rinjve në Tetovë. Përleshjet kanë ndodhur në dy net radhazi, ndërsa në to dyshohet se janë përfshirë persona që lidhen me dy tifo-grupe, “Vojvodët” dhe “Ballistët”. Nga këto përleshje raportohet se tre persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa policia ka nisur identifikimin e personave të përfshirë.
Qytetarët e anketuar nga Televizioni Koha janë të revoltuar me politikanët dhe burrshtetasit për mos marrje të masave kundrejt dhunës mes tifogrupeve në Tetovë dhe më gjërë. Bashkëjetesa nuk është luks, por është një gjë e domosdoshme që duhet të respektohet meqë këtu jetojmë dhe nuk kemi se ku e çojmë njëri tjetrin, thonë qytetarët duke u bërë thirrje institucioneve që të marrin masa konkrete dhe njëherë e përgjithmonë të parandalohet kjo dukuri që po shkakton probleme të njëpasnjëshme në Tetovë.
“Të gjitha këto tensione që ndodhin, vijnë nga partitë politike. Në interes të partive politike, i nxisin të rinjtë që të bëjnë gjëra të tilla në vend që të jetojmë së bashku. Përderisa nuk mblidhemi, maqeonas, shqiptarë e të tjerë, që së bashku të ju tregojmë se mund të kemi bashkëjetesë këtu, për shumë e shumë vite të tjera. Jam kundër të rinjëve që përzihen në punët e politikës. Edhe politikanët edhe prindërit duhet të ju tregojnë fëmijëve që ky shtet është i joni dhe e jona do të jetë. Me bashkëpunim, me mirëkuptim. Ju apeloj prindërve që fëmijëve nëpër shtëpi, pavarësisht se kush është, të ju tregojnë fëmijëve që ky shtet është i përbashkët”!
“Kjo ka të bëj me kulturën familjare. Nuk ka të bëj me politikën. Politika ka ekzistuar edhe më herët por skemi pas konflikte. Duhet prindërit dhe policia të jenë më të ashpër”!
Dukuria e rrahjeve dhe përleshjeve mes tifogrupeve nuk duhet të shihet vetëm si një konflikt mes të rinjve. Kur këto përplasje përsëriten në rrugët e qytetit dhe rrezikohet siguria e qytetarëve, bëhet fjalë për një problem serioz që kërkon reagim të menjëhershëm nga policia, institucionet, prindërit dhe shoqëria në përgjithësi.
