Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave, Mustafa Dauti, ka vizituar sot pikën kufitare Bellanoc–Stançiç, ku nga afër është njohur me gjendjen dhe mënyrën e funksionimit të kësaj pike.
Sipas Dautit, kjo pikë kufitare ka rëndësi të veçantë për qytetarët, por edhe për lidhjen rajonale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Ai theksoi se Bellanoc–Stançiç krijon një lidhje më të drejtpërdrejtë ndërmjet zonës së Kumanovës dhe Gjilanit, duke lehtësuar lëvizjen e qytetarëve.
“Kjo pikë na lidh jo vetëm fizikisht me Kosovën, por edhe ekonomikisht. Prandaj, investimi në funksionalitetin e saj dhe në modernizimin e mënyrës së punës është investim në një lidhje më të mirë ndërmjet dy vendeve dhe në një rajon më të ndërlidhur. Momentalisht, kjo pikë kufitare është e dedikuar vetëm për kalimin e automjeteve. Megjithatë, ne jemi duke punuar që në të ardhmen kjo pikë të mundësojë edhe qarkullimin e mallrave.”
Në këtë drejtim, ai tha se një nga proceset ku po punohet intensivisht është funksionalizimi i sistemit “One Stop Shop”, i cili synon procedura më të shpejta dhe më efikase në pikat kufitare.
“Një nga proceset në të cilin jemi duke punuar në mënyrë intensive është edhe funksionalizimi i sistemit One Stop Shop, që edhe kjo pikë kufitare, ashtu si pikat e tjera ku ky sistem aplikohet, të mundësojë procedura më të shpejta, më efikase dhe më të koordinuara për qytetarët.”
Dauti e përmbylli vizitën duke theksuar se përmirësimi i infrastrukturës, organizimit dhe shërbimeve në pikat kufitare nuk është vetëm çështje administrative, por pjesë e përpjekjeve për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, për të rritur bashkëpunimin ndërkufitar dhe për të forcuar lidhjet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.
