Një zjarr i madh ka shpërthyer gjatë natës në një objekt afarist në Komunën e Shuto Orizares në Shkup. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, nga zjarri nuk ka persona të lënduar, por është shkaktuar dëm i madh material.
Zjarri ka shpërthyer pak pas orës 03.00 të mëngjesit, ndërsa janë përfshirë nga flakët mbi 20 dyqane me tekstil dhe mallra të tjera, të gjitha në pronësi të një personi.
Nga MPB-ja bëjnë të ditur se sot, rreth orës 03:20, në SPB Shkup është raportuar se në një qendër tregtare në territorin e Shuto Orizares janë përfshirë nga zjarri mbi 20 dyqane, në pronësi të S.S., të cilat ishin dhënë me qira.
Zjarri është shuar nga Brigada e Zjarrfikësve e Shkupit. Nuk raportohet për persona të lënduar.
Deri tani nuk dihen shkaqet e zjarrit, përkatësisht se çfarë e ka shkaktuar atë.
Nga MPB-ja njoftojnë se në vendngjarje do të kryhet ekspertizë dhe se po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.
Përmasat e zjarrit dëshmohen edhe nga angazhimi i Brigadës së Zjarrfikësve të Shkupit. Sipas Qendrës për Menaxhim me Kriza, në shuarjen e zjarrit kanë marrë pjesë 15 zjarrfikës me gjashtë automjete zjarrfikëse.
Intervenimi ka zgjatur nga ora 03:31 deri në 06:45 të mëngjesit.
Sipas informacioneve të QMK-së, zjarri ka përfshirë një objekt afarist në rrugën “Indira Gandi”, në Komunën e Shuto Orizares.
