Ndonëse janë afruar ditët për përgatitjen e ajvarit dhe turshive tradicionale, qytetarët e Shkupit ende nuk kanë filluar furnizimin dhe përgatitjet për dimër.
Çmimet e produkteve, veçanërisht të specave, mbeten shqetësimi kryesor për ta. Të intervistuar nga TV Koha qytetarët thonë se kanë shtyrë përgatitjen e ajvarit dhe turshive për shkak të çmimeve të larta.
Qytetarët i thanë TV Koha se përgatitja e ajvarit turshive kërkon një shpenzim jo të vogël për familjet.
Hala skena bo kurxha, por do shofim..
Si ju duken çmimet?
Çmimet janë të larta por ajo është….
Valla se kemi bo, hala skemi fillu, sikur për vjet, çmimi aty gjindet. Edhe vitet e tjera ka qenë kështu, ndoshta ndonjëherë edhe më shtrenjtë edhe më lirë çmimet por, këtë vit qoftë për domate, qoftë për gjëra të tjera, pazari ka qenë më i mirë se vitet e tjera, ka pas bollëk.
Ndërsa qytetarët ankohen për çmimet, shitësit në tregun e gjelbërt në Shkup thonë se situata me çmimet këtë vit është më e favorshme. Sipas tyre, çmimet këtë vit janë më të mira krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse interesimi i qytetarëve për blerje ende nuk është në nivelin që ata presin.
Çmimi është jashtëzakonisht i mirë. Speci që është për ajvar, vjet, krahasuar me sivjet është dyfish më i ulët. Vitin e kaluar ka qenë 80 denarë kilogrami, sot është 30 denarë, por buxheti është i dobët sa i përket popullatës, jemi pak të lisht nga buxheti. Sepse sa i përket çmimeve, krahasim me vitin tjeter jemi jashtëzakonisht poshtë.
Shum dobët, interesimi është i ulët, çmimi nuk është i lartë. Çmimi relativisht është i përballueshëm 40 denarë është nëse blen me kuti, kurse nëse blen me kilogram 50 den. Por qytetarët janë të painteresuar. Dobët po shkon. Edhe vitin e kaluar, ndoshta interesimi ska qenë kushedi sa i lartë, por ka pasur çmim më të lartë. Për ne shitësit dhe prodhuesit ka qenë gjithherë më mirë.
Tregu i gjelbër në Shkup tashmë është gjallëruar me ardhjen e produkteve sezonale. Specat, domatet dhe perimet e tjera për përgatitjen e ajvarit dhe turshive kanë zënë vend në tezga, ndërsa në ditët në vijim pritet të rritet edhe numri i blerësve.
