Site icon Tetova Expres

Qeveria e RMV-së do të mundësojë blerjen e deri në dy viteve stazh për pension, paralajmëroi ministri Vellkovski

Në përputhje me një ligj që tashmë është duke u shqyrtuar në Qeveri, qytetarët që i kanë plotësuar kushtet e moshës për pensionim, por u mungojnë deri në dy vite stazh pune për minimumin ligjor prej 15 vitesh, do të mund t’i paguajnë vetë kontributet për këtë periudhë dhe të fitojnë të drejtën për pension – njoftoi ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Vellkovski, në një intervistë për “360 Gradë” në RTM 1. Ai thotë se, sipas zgjidhjes së propozuar ligjore, të drejtën për blerjen e stazhit do ta kenë vetëm personat që kanë të paktën 13 vite stazh pune dhe që tashmë nuk janë më të siguruar aktivë në tregun e punës, transmeton Portalb.mk.

“Blerja e stazhit u referohet dhe do t’u referohet vetëm atyre që tashmë nuk janë të siguruar, që kanë mbushur 62-64 vjeç, pra gra dhe burra. Të drejtë do të kenë ata që kanë deri në 13 vite stazh pune të realizuar në momentin kur kanë mbushur moshën për pension, pra 24 muaj mund ta blejnë stazhin e tyre, përkatësisht ta paguajnë atë”, tha Vellkovski.

Ai thotë se për muajt që u mungojnë deri në minimumin ligjor prej 15 vitesh, qytetarët do të duhet ta mbulojnë kontributin për sigurimin pensional, ndërsa baza për përllogaritje nuk do të jetë e plotë, por gjysma e pagës mesatare të vitit të kaluar.

“Pra, nga viti kur është larguar, përkatësisht në rastin konkret viti 2025, kontributi do të paguhet mbi atë pagë, po. Pra, kontributi paguhet mbi atë pagë. Përafërsisht, tani të mos i them shifrat, por varësisht se sa muaj i kanë mbetur secilit për të dalë në pension, do të ketë një shumë të caktuar që duhet ta paguajnë vetë qytetarët, e më pas do ta marrin pensionin e përllogaritur me të gjithë parametrat në përputhje me ligjin”, tha ministri.

Në praktikë, siç thotë ai, nëse bëhet fjalë për një vit në të cilin paga mesatare ka qenë 45.000 denarë neto, kontributi prej 19,9 përqind do të përllogaritet mbi 22.500 denarë, shumëzuar me numrin e muajve që u mungojnë, por më së shumti 24 muaj.

Advertisement

Pasi të kryhet pagesa për stazhin që mungon, lartësia e pensionit do të përcaktohet sipas formulës standarde ligjore, përkatësisht në bazë të të ardhurave që i siguruari i ka pasur gjatë viteve kur ka qenë i punësuar.

“Varësisht se sa kanë pasur gjatë 13 viteve, formula që do të rezultojë – pra, nga 13 vitet, sa kanë kursyer, me çfarë page kanë qenë të deklaruar e kështu me radhë, vetë formula do të përcaktohet më tej. Kështu, nëse ka qenë në pagë minimale, atëherë do të jetë në disa nga kategoritë minimale, të cilat janë gjithsej nëntë në sistem. Nëse kanë marrë, përkatësisht kanë qenë të deklaruar me pagë më të lartë, në atë mënyrë do të përllogaritet”, përfundoi Vellkovski.

Exit mobile version