Maqedonia e Veriut është vendi i fundit që ka ndërhyrë për të frenuar rritjen e çmimeve të karburanteve.
Nga 15 deri më 28 shtator, qeveria ka ulur TVSH-në për karburantet nga 18 në 10 për qind, ndërsa vijon edhe lehtësimi i akcizës.
Vetëm për naftën, efekti i masave përllogaritet në rreth 7 denarë për litër, duke shmangur një shtrenjtim të mëtejshëm për konsumatorët.
Cmimi final shkon në 99 denarë ose 1.48 euro.
Edhe Italia ka zgjatur deri më 17 shtator uljen e akcizës për naftën, me rreth 17 centë për litër.
Masa synon të mbrojë familjet dhe bizneset nga rritja e fortë e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Spanja po aplikon gjithashtu ulje të përkohshme të taksave për benzinën dhe naftën.
Qiproja, ndërkohë, ka zgjatur deri më 30 nëntor lehtësimin fiskal prej 8,33 centësh për litër për të dyja llojet e karburanteve.
Masa mbështetëse janë marrë edhe në vende të tjera, përmes uljes së akcizës, rimbursimeve apo subvencioneve të drejtpërdrejta.
Qeveritë e këtyre vendeve po përpiqen që një pjesë të kostos së krizës energjetike ta përballojnë përmes uljes së të ardhurave nga taksat, duke lehtësuar konsumatorët.
Synimi është që shtrenjtimi i naftës të mos përkthehet menjëherë në rritje të kostos së transportit, ushqimeve dhe produkteve të tjera.
