Site icon Tetova Expres

Kurti pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së: Kjo është padrejtësi e papranueshme (video)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Kurti e ka cilësuar shpalljen fajtorë dhe dënimin e tyre si “padrejtësi të papranueshme” dhe “ndëshkim të madh dhe të dëmshëm”.

Shpallja fajtorë dhe dënimi kaq i rëndë për katër ish krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, është padrejtësi e papranueshme, ndëshkim i madh dhe i dëmshëm. Aktgjykimi mund të jetë shqiptuar formalisht në emër të popullit të Kosovës, por kjo formulë e zbrazët nuk duhet ngatërruar me vullnetin e popullit.
Ky aktgjykim patjetër duhet ndryshuar dhe korrigjuar në shkallën e apelit dhe atë sa më parë. Në këto momente të vështira, jemi pranë familjeve të ish krerëve të UÇK-së dhe të gjithë bashkëluftëtarëve çlirimtarë.
Siç e dimë, me akuzat në Këshillin e Evropës nga deputeti rus Konstantin Kosaçev dhe ai serb Millosh Alligrudiq filloi gjithçka më 15 prill 2008, por ne duhet të sigurohemi që asgjë nuk përfundoi sot më 16 shtator 2026. Asgjë prej pretendimeve e akuzave të ekzagjeruara e absurde mbi të cilat është arsyetuar ngritja e Dhomave të Specializuara, duke nisur prej Shtëpisë së Verdhë e trafikimit të organeve, nuk ka mundur të ngritej nga vetë Prokuroria, për shkak të mungesës së provave.
Për më tepër, aktgjykimi i sotëm i Dhomave të Specializuara rrëzoi pretendimin më të rëndë që ka mbetur në aktakuzë: se UÇK-ja kishte kryer një sulm të gjerë dhe sistematik kundër një popullsie civile. Po ashtu, u pa qartë se ky proces nuk ishte gjykim për legjitimitetin apo pastërtinë e luftës së UÇK-së. Gjithashtu nuk u konstatua as kushti më themelor për krime kundër njerëzimit. Përfundimet dënuese lidhen me akuza të caktuara për krime lufte, përfshirë torturën e personave të konsideruar bashkëpunëtorë të regjimit serb. Këto janë konstatime të padrejta, por nuk janë përfundimtare dhe do t’i nënshtrohen shqyrtimit në apel.
Padrejtësia e akuzave të Prokurorisë është vënë në dukje jo vetëm brenda Kosovës, por edhe jashtë saj. Për karakterin e luftës çlirimtare dhe të UÇK-së dëshmuan para vetë Gjykatës edhe personalitete ndërkombëtare që e kishin njohur konfliktin nga afër. Ata përshkruan UÇK-në si përgjigje ndaj dekadave të shtypjes së shqiptarëve dhe kundërshtuan pretendimin se ajo ishte përgjegjëse për spastrim etnik; gjithashtu ata dëshmuan kundër tezës së një komande të centralizuar që kontrollonte çdo veprim në terren. Këto dëshmi erdhën nga njerëz që panë luftën nga pozita të drejtpërdrejta të përgjegjësisë ndërkombëtare dhe që dëshmuan për karakterin e saj çlirimtar. Kritikat e tyre, të argumentuara në detaje, e nënvizojnë se vendimi i sotëm mbështetet mbi themele thelbësisht të pasakta, si nga pikëpamja historike, ashtu edhe ajo ligjore. Siç kemi bërë prej fillimit të këtij procesi, Qeveria do të vazhdojë, me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion, t’i mbështesë të akuzuarit në procesin e apelit, ku presim korrigjimin e plotë të kësaj padrejtësie.
Ky aktgjykim nuk mund të lexohet jashtë historisë në të cilën lindi UÇK-ja. UÇK-ja nuk ishte zgjedhja e një populli që kërkonte luftë, por përgjigjja e një populli që, i shtypur dhe i kërcënuar në vetë ekzistencën e tij, kërkonte liri. Populli shqiptar i Kosovës përjetoi heqjen e autonomisë, përjashtimin nga institucionet, dëbimin nga vendet e punës, shkollat dhe universiteti, burgosjet, torturat dhe vrasjet. Më pas erdhën masakrat, djegia e vendbanimeve, dëbimi masiv i qindra mijëra njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe gjenocidi. Kjo vuajtje nuk ishte sfondi i rastësishëm i luftës, por realiteti që e bëri qëndresën çështje të mbijetesës së një populli.
Asnjë vuajtje njerëzore nuk duhet mohuar apo zvogëluar. Por, po aq e padrejtë do të ishte që konstatimet për veprime të caktuara të shndërroheshin në aktakuzë kundër UÇK-së dhe në gjykim të luftës çlirimtare. Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj shtypjes së një regjimi gjenocidal dhe luftoi për çlirimin e Kosovës. Ky është karakteri politik dhe historik i saj, dhe as arkitektura selektive e një mekanizmi gjyqësor, as një aktgjykim i tij, nuk mund ta zhbëjnë atë. Për një shekull e gjysmë, nga mesi i shekullit XIX e deri te vitet e fundit të shekullit XX, nga instancat e ndryshme por gjithnjë të larta, shtetërore e politike, akademike e pseudo shkencore të Serbisë, janë përpiluar 24 programe për shfarosjen e shqiptarëve.
Dhomat e Specializuara u krijuan me një mandat të posaçëm, por mandati dhe veprimtaria e tyre e përqendruan drejtësinë vetëm mbi njërën palë të luftës. Kur në bankën e të akuzuarve gjenden vetëm pjesëtarët e një etnie, ndërsa aparati shtetëror që kreu masakra, dëbime dhe krime gjenocidale mbetet jashtë juridiksionit, krijohet në mënyrë të pashmangshme pamja e një drejtësie njëetnike. Këtë ndjesi e ka thelluar edhe transparenca e munguar e një procesi, pjesë të rëndësishme të të cilit janë zhvilluar larg syrit dhe vlerësimit të publikut.
Një mekanizëm në të cilin përgjegjësia penale përqendrohet vetëm te pjesëtarët e një populli apo bashkësie etnike, ndërsa krimet gjenocidale të palës tjetër mbeten jashtë ndjekjes efektive, krijon shqetësime serioze lidhur me barazinë para ligjit, paanshmërinë objektive dhe legjitimitetin e vetë institucionit. Drejtësia selektive mbi baza etnike bie ndesh me parimin themelor se drejtësia jo vetëm duhet të jetë e paanshme, por edhe duhet të perceptohet si e tillë.
Kosova do të vazhdojë të mbështesë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin në procedurën e apelit, në mbrojtje të plotë, dinjitoze dhe institucionale. Kjo është përgjegjësi ndaj qytetarëve tanë dhe besim në të drejtën për ta kundërshtuar një aktgjykim që ende nuk është përfundimtar.
Sot u gjykuan akuza dhe veprime të caktuara; nuk u gjykua dhe nuk mund të dënohet arsyeja pse lindi UÇK-ja e as të njolloset ajo. Sepse kur atdheu nuk duroi më gjakatarë, ai thirri çlirimtarë, dhe emri i tyre ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës.

Exit mobile version