Vendimi i Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së solli reagime edhe në Beograd. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, doli në një konferencë për mediat, ku foli gjatë për dënimet ndaj ish-liderëve të UCK-së.
Por më shumë se sa te verdikti i gjykatës, Vuçiç u kujdes ta vinte theksin tek deklaratat e krerëve të shteteve të rajonit, me theks të veçantë në Shqipëri por edhe në Maqedoni të Veriut.
Në këtë kontekst Vuçiqi përmendi Zv/Kryeministrin Bekim Sali, Kryeparlamentarin Afrim Gashi por edhe Ali Ahmetin, të cilët sipas tij, nuk e trajtuan vendimin si një dënim për krime, por si një padrejtësi ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
“Maqedonia e Veriut, Bekim Sali. Ky është nënkryetari i Kurtit i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut dhe Ministër për çështje evropiane, ka thënë se “aktakuza e sotme në Hagë është dënim për popullin e UÇK-së për lirinë” dhe se “liria e Kosovës ka historinë e saj”, ndërsa “kjo histori nuk mund të fshihet kurrë”. Edhe kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, ka deklaruar se “në një kohë kur liria e Kosovës, paqja dhe stabiliteti i rajonit ende ishin ideal për të cilin duhej luftuar, ata patën guximin të angazhoheshin dhe të merrnin përgjegjësi historike për t’i sjellë lirinë popullit të tyre. Paramendoni sikur këtë ta thoshte Kuvendi i Republikës Srpska apo ndonjë shtet tjetër sovran për ndonjë nga të dënuarit tanë, qoftë Pavkoviqi, Stanishiqi, Mladiqi, Karaxhiqi apo cilido tjetër. Ali Ahmeti, bëri thirrje për arsye dhe unitet, duke thënë se nuk duhet të bien në asnjë kurth dhe se “askush nuk guxon ta nënçmojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës”
Sipas Presidentit serb, reagimet nga rajoni, duke implikuar këtu edhe Kroacinë dhe shqiptarët e Malit të Zi, tregojnë se Serbia ndjehet nën presion duke ngritur më pas pyetjen nëse deklarata të tilla mund të ndikojnë në procesin e integrimit evropian të vendeve që dolën në krah të liderëve të UÇK.
